Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Dy të akuzuarit për vjedhjen e rreth 130 milion lekëve të buxhetit të shtetit, me anë të falsifikimit të dokumenteve, u paraqitën në Gjykatën e Tiranës, për t’u njohur me masën e sigurisë. Pak ditë më parë, kjo gjykatë, me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës vendosi masën burg pa afat ndaj Saliko Dautaj, pronar i firmës së ndërtimit “Saliko” dhe Avni Demiraj, supervizori i kësaj firme.

Këta persona u arrestuan, sepse nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se kanë shpërdoruar fondet e qeverisë, për ndërtimin e dy vilave qeveritare në qytetin e Vlorës. Sipas akuzës, ata kanë hartuar dokumentet, ku kërkohej një pagesë shumë më e lartë nga ç’ishin në të vërtetë shpenzimet për ndërtimin e vilave 8 dhe 9 në këtë qytet.

Në këtë mënyrë buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm që llogaritet në 130 milion lekë. Gjithnjë sipas burimeve zyrtare këto veprime janë kryer në kohën, kur shefi i shërbimeve qeveritare ishte Adi Shamku, i cili më pas kalojnë në detyrën e drejtorit të përgjithshëm të rrugëve.

Ndërkohë gjatë seancës së sotme dy të pandehurit, S.D. dhe A. D. kërkuan një masë më të lehtë sigurie. Gjyqtarja Marjana Dede vendosi ta zbusë këtë masë, nga burg pa afat në lirim kundrejt garancisë pasurore prej 10 mijë dollarë secili. Këta persona do të hetohen të lirë./tvklan.al