Lajme Arkiva 2003
Gjatë seancës së sotme nuk është dëgjuar asnjë nga përgjimet e paraqitur si prova nga akuza kundër të pandehurve për trafik ndërkombëtar heroine Arben Grori dhe Agron Tresa. Prokurori i çështjes tha se dëgjimi i kasetave ku janë regjistruar përgjimet, ishte i pamundur teknikisht në sallën e Gjykatës së Tiranës, ku zhvillohen seancat.
Akuza ka refuzuar të vazhdojë e paraqitjen e provave të tjera, ndërsa avokatët mbrojtës këmbëngulën edhe njëherë se provat e paraqitura dhe që janë siguruar nga autoritet italiane nuk kanë bazë ligjore.
Edhe vetë i pandehuri Grori u shpreh kundra provave të prokurorit. Procesi gjyqësor i Arben Grorit për trafik ndërkombëtar heroine është më i rëndësishmi në vend pas atij të kokainës. Përfaqësuesi i akuzës ka propozuar që palët pjesëmarrëse në këtë proces të shkojnë në Itali për të marrë në pyetje dëshmitarë që kanë dijeni lidhur me veprimtarinë e të pandehurve shqiptarë.
Kështu mund të veprohet në mënyrë të ngjashme me marrjen e dëshmisë së italianes Lidia Çestari për procesin “Kokaina”. Përgjimet për procesin ndaj Grorit pritet të dëgjohen në sallën e gjyqit ditën e premte./tvklan.al