Gjykata Kushtetuese pezulloi zbatimin e ligjit të lustracionit me argumentin se objekti i shqyrtimit të këtij ligji mund të sjellë pasoja në funksionimin normal të shtetit të së drejtës dhe mund të cenojë liritë themelore të individit.
Për pasojë zbatimi i ligjit sipas interpretimit të bërë nga vetë anëtarët e këtij organi bazuar në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ekzekutohet deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
Edlira Abazi: “Në përfundim të shqyrtimit të çështjes mbledhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në mbështetjen e nenit 45 të ligjit numër 8577, datë 10/02/2000 për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë duke çmuar se zbatimi i ligjit objekt shqyrtimi mund të sjellë pasoja në funksionimin normal të shtetit të së drejtës, si dhe në cenimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit vendosi të urdhërojë pezullimin e zbatimit të ligjit derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi. Gjithashtu në mbledhjen e gjyqtarëve u vendos t’i kërkohet komisionit të Venecias një opinion…për ligjin si një institucion i pavarur dhe i specializuar.”
Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese erdhi pas kërkesës së socialistëve të depozituar për antikushtetutshmëri të ligjit të lustracionit, si dhe përfaqësuesve të shoqatës së prokurorëve dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Vendimi për pezullimin e zbatimit të ligjit për lustracionin vjen gjithashtu në një kohë kur parlamenti pritet të ngrinte autoritetin për kontrollin e figurave./tvklan.al
Gazetar: Jolldiz Mitro