Gjykata Speciale nuk i ka dhënë leje ish-presidentit Hashim Thaçi që të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait.
Lajmin e ka bërë të ditur Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shpreh indinjatën duke e quajtur vendimin si të padrejtë e jo human.
Ata shkruajnë se ky vendim është një shkelje flagrante e të drejtave themelore të njeriut, duke e konsideruar këtë akt si të qëllimshëm.
“Ky vendim nuk është vetëm një shkelje flagrante e të drejtave themelore të njeriut, por edhe një akt që bie ndesh me vlerat universale të humanizmit dhe drejtësisë. Të ndalosh një bir që t’i japë nderimin e fundit babait të tij, është një akt i dhimbshëm që cenon dinjitetin dhe ndjenjat më të thella njerëzore. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së e konsideron këtë veprim si një akt të qëllimshëm dhe dashakeq të Gjykatës Speciale, e cila synon të poshtërojë dhe të degradojë jo vetëm Hashim Thaçin dhe familjen e tij, por të gjithë ish luftëtarët dhe vlerat për të cilat ata luftuan, në shenjë hakmarrje për mungesën e provave për inkriminimin dhe dënimin e drejtuesve të UÇK-së”, thuhej në deklaratën e tyre.
Babai i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, Haxhi Thaçi, ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme.
Ai ishte i shtruar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë në gjendje të rëndë shëndetësore, ku u vizitua ditët e fundit, vetëm për tri orë, nën masa të rrepta sigurie, nga i biri Hashimi./tvklan.al