Në Tiranë u zhvillua mbrëmjen e kësaj të hëne ceremonia e inaugurimit të pallatit të ri të drejtësisë, “Poli i Drejtësisë”. Në fjalën e saj, e ngarkuara me punë e SHBA në vendin tonë, Leyla Moses-Ones vlerësoi votimin unanim 3 vjetë më parë, të Reformës në Drejtësi dhe tha se, që prej asaj kohe, kanë ndodhur shumë gjëra.
Duke u ndaluar tek dalja jashtë funksioni të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, Moses tha se e rëndësishme është që rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve po funksionon. Sipas saj, Reforma në Drejtësi po ia kthen sistemin e drejtësisë njerëzve.
“Shqipëria nisi procesin e vetingut, nisi modeli i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, u krijua ONM, një numër i madh janë rivlerësuar, disa e kanë kaluar dhe shumë kanë dështuar në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese. Disa thonë se ky është një problem, por ne besojmë se kjo tregon se rivlerësimi po funksionon dhe nënvizon se përse Reforma në Drejtësi ishte e nevojshme. Sistemi i vjetër i drejtësisë ishte kapur shumë kohë më parë. Ishte i kapur nga korrupsioni dhe ata që veprojnë në hije, për të mbajtur Shqipërinë prapa. Reforma në Drejtësi e theu atë kapje të paligjshme të sistemit të drejtësisë dhe po ia kthen atë njerëzve”.
“3 vjet pas atij votimi në mesnatë, tani kemi një Këshill të Lartë të Prokurorisë dhe një Këshill të Lartë Gjyqësor. Ata përbëhen nga gjyqtarë, prokurorë dhe anëtarë jo gjyqtarë, jo prokurorë. KLGJ po punon për të ripërtërirë Gjykatën e Lartë. KLP ka qenë duke punuar për gurin e çmuar të kurorës së reformave, krijimin e SPAK-ut”.
Moses-Ones theksoi se SHBA do të vijojë të jetë krah Shqipërisë.
“Jini të sigurt, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë krah Shqipërisë, ndërsa Reforma në Drejtësi i jep një formë të re të ardhmes tuaj”.
Inaugurimi i kësaj godine vjen në 3 vjetorin e miratimit të Reformës në Drejtësi./tvklan.al