Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Azem Hajdari është qëlluar nga një njeri i veshur me antiplumb. Kjo ka qenë dëshmia tjetër bombë e seancës së sotme të procesit Hajdari. Po nën masa të rrepta sigurie, Jaho Salihi është risjellë në gjykatë nga forcat e Briskut, ku avokati i zgjedhur prej tij Vladimir Meçe, pas pranimit të mbrojtjes ka qenë prezent. I pari nga tre dëshmitarët në seancën e sotme ka dëshmuar Dilaver Neza, vëllai i bodigardit të Azemit, i mbetur gjallë nga atentati, Zenel Neza.
Një njeri i gjatë me antiplumb dhe i veshur me rroba ushtarake, ky është identikiti i vrasësit sipas Nezës. Sipas tij, i vëllai u ka folur dhe për makinën me të cilën u larguan atenatorët e tyre. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i të pandehurit Mulosmani. Kujtohu se ç’thua, ishte reagimi i Jahos ndaj Nezës. Më pas është vazhduar me dëshmitarin tjetër, por një ngatërresë e togës së shoqërimit ka sjellë në sallë një tjetër shtetas me emrin Bajram Hajdari, në vend të vëllait të Azemit dhe e ka lënë të lirë.
Më pas radha për të dëshmuar ka qenë e policit të sallës operative Përparim Zenuni, i cili nëpërmjet skemës së prokurorëve dëshmoi për lëvizjet e grupeve Shqiponja atë natë, pa dhënë ndonjë detaj të ri. Pas dëshmitarëve, prokurori Haxhi Giu kërkoi që në seancën e ardhshme të vinë si dëshmitarë ministri aktual i Drejtësisë Arben Imami, Gëzim Sokoli, Arben Duka dhe Sali Hajdari. Më pas nën masa të rrepta sigurie gjithnjë me fuoristradën e blinduar, i pandehuri kryesor i çështjes Jaho Mulosmani, u shoqërua për në burgun 302, ku dhe është izoluar./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj