Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Të pandehurit e çështjes “Kokaina” kanë kërkuar largimin e kryetarit të trupit gjykues Gjin Gjoni nga drejtimi i procesit. Të pandehurit janë shprehur se gjyqtari është treguar i njëanshëm, gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor, ka ofenduar dhe nuk ka lejuar të dëgjohen pretendimet e tyre.

Kryesia e Gjykatës së Faktit Tiranë, ka shqyrtuar në lidhje me kërkesën në një seancë konsultë pa praninë e gazetarëve, ku është vendosur të hidhet poshtë kërkesa e të pandehurve, për largimin e Gjonit, për largimin e procesit. Procedimi ka vijuar me paraqitjen e provave shkresore nga ana e të pandehurve dhe mbrojtjes së tyre. Një pjesë e provave të paraqitura nga mbrojtja e Frederik Durdës, nuk janë pranuar pasi janë konsideruar të shqyrtuara më parë.

Po me të njëjtin motiv janë rrëzuar edhe provat shkresore të paraqitura për mbrojtjen e Arben Përballës, madje ky i fundit është përjashtuar nga seanca, pasi ka këmbëngulur në dëgjimin e pretendimeve të tij. Ndërsa i pandehuri Sokol Koçiu ka kërkuar të merret në formën e provës dhe pistoleta e cila i është sekuestruar në momentin e ndalimit.

Janë kërkuar gjithashtu të shqyrtohen disa CD me përgjime, si dhe një nga kasetat e regjistrimit të dëshmitares Lidia Cestari, e pyetur në Itali, nga prokurori italian, me porosi të drejtësisë shqiptare./tvklan.al