Lajme Arkiva 2003

Tre ish zyrtarët e Ministrisë së Rendit dhe agjencisë së prokurimit publik u përballën gjatë seancës së dytë të çështjes me disa prej dëshmitarëve të akuzës. Njëri prej tyre qe Seit Petrela anëtar i komisionit të vlerësimit të tenderave.

Petrela u njoh në sallën e gjyqit me dokumentet që kanë lidhje me zhvillimin e procedurave të tenderit për prodhimin pasaportave. Ai përmendi se në çelje të këtij tenderi u morën në shqyrtim katër firma të huaja.

Dëshmitari tha se nuk mbante mend të kishte vendosur firmë në disa prej dokumenteve ku në fakt gjendej edhe nënshkrimi i tij.

Petrela kërkoi bërjen e analizave laboratorike për të vërtetuar nëse nënshkrimi i tij ishte i vërtetë ose jo. Gjatë deklarimit dëshmitari i kërkuar nga prokuroria tha se kishte vënë re disa mangësi në pasaportat e para që u prodhuan nga firma fituese e tenderit.

Të metat qëndronin sipas inspektorit te ngjyra e pasaportës e cila është e kuqe dhe jo vishnje sipas kontratës, te zhvendosja e shkronjave, te cilësia e letrës etj.

Dëshmitarët dhe të pandehurit debatuan kur ai tha se i kishte kërkuar ish-ministrit Himçi dhe Drejtorit të Rendit Myftari të bëhej analiza kimike e letrës, por Myftari tha se në Shqipëri nuk ka një laborator të tillë.

Në këtë proces janë thirrur si dëshmitarë edhe disa nga zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Rendit, përfshirë edhe ministri  aktual. Himçi, Myftari dhe Prifti akuzohen për shpërdorim detyre falsifikim dokumentesh dhe shkelje të barazisë në tender.

Si pasojë e këtyre shkeljeve prokuroria pretendon se buxheti i shtetit ka pësuar një humbje prej më shumë se  milionë Dollarësh./tvklan.al