Pendohet njëri prej të arrestuarve të tragjedisë së 9 janarit. Vendimi i njërit prej të arrestuarve për të bashkëpunuar me prokurorinë, i cili është bërë publik nga avokati i tij mbrojtës, ka detyruar trupin gjykues që të ndërpresë seancën gjyqësore të ditës së sotme. Emri i të arrestuarit të penduar nuk është bërë publik, por burime nga Prokuroria e Vlorës saqrojnë se ai do të trajtohet me statusin e të pandehurit, vetëm nëse dëshmia e tij është shumë e rëndësishme për procesin.
Kjo seancë ishte menduar që të ishte e fundit për pyetjen e dëshmitarëve. Vendimi i trupit gjykues për të shtyrë seancën ka shkaktuar irritimin e familjarëve të të zhdukurve . Ata ankohen për zvarritjen e procesit dhe për indiferencën e shtetit.
“Si ka mundësi shtyhen gjyqet, se vijmë nga Shkodra më shpenzimet tona dhe shteti nuk bën as shpenzimin më të vogël. Flemë në hotele, flemë jashtë. Nuk e kuptoj. Jemi shumë të revoltuar dhe shumë të shqetësuar në këtë pikë, shumë të shqetësuar! Nuk dimë çfarë të bëjmë, nuk dimë nga të shkojmë, nuk dimë si të veprojmë.”/tvklan.al