Gjykata e Tiranës nuk ka mundur të shqyrtojë kërkesën penale që ish zv/ministri i Transporteve, Armand Teliti dhe ish-drejtori juridik Andi Toma, kanë bërë me shkakun e kundërshtimit të zgjatjes së afateve të hetimit për rrugën Durrës-Kukës nga Prokuroria e Përgjithshme. Në sallë apelit i ka munguar prokurori i çështjes Arben Kraja, i cili sipas gjyqtarit Sokol Tona kishte marr dijeni për datën e seancës.
Kërkesa që avokati Genc Gjokutaj, i dy drejtuesve të lartë të Gjendjes Civile dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve ka bërë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, ka për objekt shqyrtimin e kundërshtimit të zgjatjes së afateve të hetimit, për çështjen e denoncuar nga KLSH mbi ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Prokurori Kraja kërkojë shtyrjen edhe për një muaj të hetimit të kësaj çështje. Teliti dhe Toma kanë dhënë këto komente pas shtyrjes së seancës.
Gazetarja: Zoti Teliti edhe pse prokurori ka arritur në konkluzionin, që është shkaktuar një dëm ekonomik. Ju pretendoni se jeni i pafajshëm?
Armand Teliti: “Prokuroria në qoftë se ka arritur në këtë konkluzion duhet ta paraqes atë në gjykatë. Ne i kemi thënë prokurorisë që nuk kemi asnjë koment për këtë akt-ekspertimi, pasi akti i ekspertimit nuk ka të bëjë me aktet që janë prodhuar nga ne. Do të thotë që çdo akt ekspertimi i bërë mbi aktet tona, është krejtësisht i paligjshëm dhe i pa arsyeshëm”.
Gazetarja: Zoti Toma si e vlerësoni mungesën e prokurorit të çështjes në seancë?
Andi Toma: “Është vazhdë e përgjigjes që dha zoti Teliti, është shtyrje, shtyrje dhe vetëm shtyrje e pa kuptimtë dhe e kuptimtë vetëm sepse është e qëllimtë”.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i prokurorisë, e cila nëpërmjet zëdhënëses ka bërë të ditur se mungesa e prokurorit është e justifikueshme. Ai ndodhet që prej ditës së djeshme në një seminar jashtë Shqipërisë. Nuk dihet nëse ai do të mund të paraqitet në datë 17, datë të cilën gjyqtari Sokol Tona ka caktuar seancën e radhës./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani
Operator: Klevis Çaka