Të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ish-kryeministri Sali Berisha, do të duhet të paraqitet pranë oficerit të policisë gjyqësore në SPAK, sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit.
Gjyqtari Engert Pëllumbi, ndryshoi këtë të premte vendimin e shkallës së parë që hoqi më 27 nëntor masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për Berishën.
Edhe pse Apeli nuk pranoi ankimin e SPAK për rikthimin në “Arrest në shtëpi”, ky vendim e urdhëron Berishën që pasi qëndroi për mbi një muaj pa asnjë masë të paraqitet pranë një OPGJ-je dy herë në muaj.
SIpas këtij vendimi, 6 janari është e hëna e parë kur duhet të zbatohet masa e re e sigurisë. I pyetur nga gazetarët, ish-kryeministri Sali Berisha, tha se do e respektojë vendimin, ndonëse e cilësoi si pa bazë ligjore.
“Vendim pa asnjë bazë ligjore. Pilulë elektorale për të pashpresin Edi Rama. Përpjekje e dështuar e organizatës kriminale që quhet ‘Skrapi’ i partisë për të justifikuar veprën e tyre dhe në këtë kontekst dëshmi e re e kontrollit të plotë dhe total të “Skrapit” nga Edi Rama, zbatimit të urdhrave të tij politikë. Unë çështjen e kam në Strasburg, do ta respektoj”.
Po në datën 6 janar, Gjykata e Posaçme do të mbajë seancën e radhës paraprake për dosjen “Partizani” ku SPAK kërkoi në dhjetor gjykimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe 3 personave të tjerë për dyshimet se janë përfshirë në korrupsion e pastrim parash.
Gjyqtarja Flojera Davidhi do të dëgjojë avokatët në kundërshtimet e tyre përballë akuzave, të cilat më herët ish-kryeministri i ka mohuar duke cilësuar hetimin si politikë.
Në përfundim, kjo gjyqtare do të duhet të vendosë nëse do e pranojë kërkesën e SPAK dhe dërgojë në gjyq çështjen, do ta pushojë atë apo do ta kthejë për hetime të mëtejshme.
Tv Klan