Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm në përurimin e godinave 16 dhe 17 të konvikteve në Qytetin Studenti. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri ka thënë se këto godina tashmë janë me kushte bashkëkohore që nga dhomat e studentëve, sallat e leximit, internet falas etj. Rama u shpreh se vazhdojnë të punojnë duke i qëndruar besnikë angazhimeve të marra dhe për të bërë çdo gjë që kanë premtuar për studentët.

“Dua të ju kujtoj se edhe pse protesta e studentëve, protesta shumë e madhe e disa viteve më parë, ka mbaruar me kohë dhe mbase për shumë është harruar, ne vazhdojmë të punojmë duke i qëndruar besnik angazhimeve të marra dhe për të bërë çdo gjë që kemi premtuar. Natyrisht që gjërat nuk arrihen sa hap e mbyll sytë, punët nuk bëhen si komentet në Facebook që nuk kanë nevojë për kohë. Shpeshherë nuk reflektojnë asnjëlloj mendimi të thelluar.

Plani i transformimit të Qytetit Studenti vazhdoi dhe vazhdon. Ky është një qytet që duhet t’i shërbejë të ardhmes dhe duhet të ofrojë për studentët kushte optimale. Ky konvikt këtu është një konvikt që në çdo vend të BE-së do të qëndronte me dinjitet në kategorinë A. Këto konvikte kanë 2 veta në një dhomë. Këtu çdo dhomë ka dushin e vet e kështu me radhë. Kjo është një ambicie që me mundësitë që rrisim çdo vit, të bëjmë gjëra që i qëndrojnë kohën për një periudhë të gjatë. Shqipëria është një histori suksesi”, u shpreh Rama.

Në fjalën e tij, Kryeministri është shprehur se me Kolegjin e Europës do të rritet dhe prestigji i Qytetit Studenti teksa ka shtuar se janë në plan shumë projekte të tjera përveç godinave të konvikteve.

“Nëse nuk e njeh këtë histori suksesi nuk kupton as se si shumëçka që ka nevojë të përmirësohet, duhet të përmirësohet. Ne jemi në një pozicion ku nga njëra anë kemi besim të madh të njerëzve dhe kemi nevojën e përditshme për t’u përmirësuar. Me Kolegjin e Europës do të rritet prestigji i Qytetit Studenti, do të bëhet një destinacion i një kategorie tjetër. Janë edhe një sërë godinash të tjera, ku synimi ynë është të bëjmë një bibliotekë, është edhe mensa. Godina tjetër do të krijojë mundësi për të pasur aktivitete social-kulturore dhe godina ku do të jetë edhe pishina e parë olimpike në Shqipëri e mbyllur”, tha Kryeministri.

Rama shtoi se Qyteti Studenti e ka mishëruar transformimin e shtetit shqiptar në të gjitha aspektet.

“Të përfshijmë edhe në Qytetin Studenti arkitektë të mirënjohur, ku këtu të ketë edhe vepra të arkitekturës t’i bashkohen koleksionit të jashtëzakonshëm që po krijon Tirana. Qyteti Studenti e ka mishëruar transformimin e shtetit tonë, transformimin e të gjithë aspekteve të jetës tonë gjatë gjithë këtyre viteve, ka mishëruar të gjitha dhimbjet dhe deformimet e një tranzicioni që kemi lënë pas. Shqipëria është vendi që është pak hapa drejt hyrjes në BE. Në Qytetin Studenti sot mund të shikosh dhe si është ndërtuar dhe është e jetueshme e nesërmja dhe si e shkuara vazhdon të jetë e pranishme përmes një sërë shëmtirash që duhen zëvendësuar. Këto shëmti janë fizike, janë edhe pjesë e jetës institucionale të vendit në formën e korrupsionit apo të gjithë atyre gjërave që i kemi adresuar dhe do të vazhdojmë t’i adresojmë si çdokush tjetër”, deklaroi Kryeministri.

/tvklan.al