Dy godina të reja dhe me standarde europiane i shtohen “Qytetit Studenti” në Tiranë. Pas inspektimit në godinat e reja, Kryeministri Edi Rama u shpreh se tashmë kushtet për të rinjtë janë të njëjta me bashkëmoshatarët e tyre në vendet e BE.

“Plan i transformimit i gjithë Qytetit Studenti në një qytet studentor të shekullit të ri vazhdoi dhe vazhdon. Në bazën e vetë është një trashëgimi e të shkuarës, ndërkohë që ky është një qytet që duhet ti shërbejë të ardhmes dhe duhet të ofrojë për studentët që vijnë këtu, kushte optimale, të njëjta me kushtet më të mira që studentët kanë në vendet e Bashkimit Europian”, tha Edi Rama.

Falë Kolegjit të Evropës dhe ndërtimit të një pishine olimpike, “Qyteti Studenti” sipas Kryeministrit Rama do të jetë epiqendër e shumë aktiviteteve ndërkombëtare.

“Me Kolegjin e Evropës këtu në këtë qytet, patjetër që do të rritet prestigji dhe godina ku do të jetë edhe pishina e parë olimpike në Shqipëri, e mbyllur”, tha Rama.

Kryeministri dha dhe lajmin e mirë se në Shtator, Tirana do të jetë qyteti i parë ku të gjithë nxënësit e shkollave 9-vjeçare do të kenë drekën të përfshirë dhe qëndrim deri në orën 16:00.

“Në shkollat 9-vjeçare të fusim edhe ushqimin e drekës dhe të krijojmë mundësinë për të pasur më shumë komunitet, në sensin më shumë jetë të përbashkët edhe sociale mes fëmijëve, për të pasur më shumë kapacitet që prindërit në momentin që lënë fëmijën në mëngjes në shkollë të mos e kenë kokën mbrapa dhe të mos detyrohen pastaj të merren vesh me njëri-tjetrin, kush do e lëri punën për të shkuar për ta marrë fëmijën për ta çuar në shtëpi etj.”, tha Edi Rama.

Nga investimet në “Qytetin Studenti” përfitojnë më shumë se 2.600 të rinj shqiptarë.

Klan News