Në përurimin e godinave 16 dhe 17 të konvikteve në Qytetin Studenti, Kryeministri Rama ka vlerësuar punën e Bashkisë Tiranë, të cilën e ka quajtur “lokomotivë në të gjitha drejtimet”.

“Duhet të jenë të gjithë të bindur se për qeverinë tonë dhe mua personalisht, Bashkia e Tiranës është lokomotiva në të gjitha drejtimet, dhe mbështetja jonë në këtë aspekt ka qenë, është dhe do mbetet një mbështetje prioritare, sepse për ne ka shumë rëndësi që ky partneritet të vijojë të prodhojë sukses, dhe ka shumë mundësi që kjo punë të vazhdojë të jetë komplementare, sepse Bashkia e Tiranës nuk është një bashki si të tjerat: Është metropoli i Shqipërisë dhe duke pasur edhe këtë sukses ekonomik në Tiranë, ka edhe kapacitete për të bërë hapa shumë më të mëdhenj se të tjerat dhe në një farë mënyre për të udhëhequr me shembullin e saj në rrugën ku edhe të tjerët do hyjnë hap pas hapi”, deklaroi Rama.

Teksa listoi projektet e reja, Kryeministri Rama tha se do të vënë në jetë projektin mes qeverisë dhe bashkisë që në shkollat 9-vjeçare të fusin dhe ushqimin e drekës.

“Do vëmë në jetë dhe projektin më të ri të përbashkët mes qeverisë dhe bashkisë që në shkollat 9-vjeçare të fusim edhe ushqimin e drekës. Dhe të krijojmë mundësinë për të pasur më shumë komunitet në sensin më shumë jetë të përbashkët edhe sociale mes fëmijëve për të pasur më shumë aktivitete që prindërit në momentin që lënë fëmijën në mëngjes në shkollë të mos e kenë kokën mbrapa dhe të mos detyrohen pastaj, të merren vesh me njëri tjetrin, kush do e lëri punën për të shkuar për ta marrë fëmijën për ta çuar në shtëpi etj, etj, po të bëjnë punën e tyre me orë të plota dhe nga ana tjetër patjetër dhe për të lehtësuar  nga pikëpamja financiare një pjesë të familjeve që  nuk e kanë shumë të lehtë jetën e tyre të përditshme ekonomike”, theksoi kreu i qeverisë.

Një tjetër iniciativë që Rama përmendi ishte mbështetja për pensionistët përmes aboneve falas të financuara nga Bashkia e Tiranës.

“Kështu, abonetë për të udhëtuar falas për pensionistët, të mbështetura dhe financuara drejtpërdrejt nga Bashkia e Tiranës, janë një hap që shkon në drejtimin e duhur, sepse ato në fakt janë abone për pensionistët për të mos nxjerrë pensionistët lek nga xhepi dhe për të mos paguar nga pensionet e tyre. Por, nga ana tjetër, janë abone për të cilat paguan Bashkia e Tiranës, paguajnë taksapaguesit, paguajnë ndërtuesit, të cilët i paguajnë kësaj bashkie taksat më të larta. Se është kollaj të flasim ky po ndërton, ai po ndërton, por nga ana tjetër, ne duhet të shohim se sa gjëra marrim mbrapsht, jo thjesht në aspektin e transformimit që askush nuk mund ta imagjinonte dhe nuk e imagjinojnë të huajt që vijnë dhe të huajt nga të gjitha kategoritë”, tha Rama.

/tvklan.al