Partia Socialiste ka vijuar turin e takimeve me qytetarët që jetojnë jashtë Shqipërisë, të cilëve u bën thirrje që të regjistrohen për të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 Majit.
Drejtuesi Politik për Diasporën, Taulant Balla, në takimin e zhvilluar me shqiptarët në Kozani të Greqisë, teksa u sqaroi mënyrën e regjistrimit, theksoi se edhe qytetarët duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin për këtë proces.
“Çdo qytetar shqiptar që ka mbushur 18 vjeç ka një dokument identifikimi biometrik. Pra të gjitha dokumentet e identifikimit pas vitit 2009 mund të marrin pjesë në votime. Është shumë e rëndësishme që të trokasim derë më derë. Dhe zëri në demokraci dëgjohet vetëm përmes votës”, tha Taulant Balla.
Duke vlerësuar punën e qeverisë për integrimin e vendit, Balla tha se anëtarësimi i Shqipërisë në BE mund të ndodhë vetëm me Edi Ramën kryeministër.
“Shqipëria është në momentin historik të përmbylljes së një rruge të gjatë të mundimshme të anëtarësimit në Bashkimin Europian që ta shohim veten, jo pas Greqisë, por përkrah Greqisë. Ky mandat na duhet për ta mbyllur këtë punë dhe Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian mund ta bëjë vetëm Partia Socialiste dhe Edi Rama. Dhe prandaj është shumë i rëndësishëm që ky progres i arritur deri më tani mos të na shkojë dëm”, tha Balla.
Nuk munguan ironitë edhe për opozitën.
“Ne i kemi nda punët në Shqipëri, njëri për të rregullu quhet Edi Rama, për të prish kemi njërin te ballkoni”, tha Balla.
Forcat politike kanë intensifikuar takimet e tyre me diasporën që nga nisja zyrtarisht e regjistrimeve të tyre në Platformën Elektronike të Regjistrimit e cila është venë në dispozicion nga KQZ.
Qytetarët që jetojnë jashtë vendit do të kenë mundësi të regjistrohen deri më 4 Mars.
Klan News