SPAK ka zbardhur skemën e grupit kriminal që dërgonte shqiptarë në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Prokuroria e Posaçme thotë se paguheshin shuma nga 20 mijë deri në 45 mijë dollarë.
Fillimisht ata gjenin persona që ishin të interesuar të shkonin në SHBA. Më pas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, prodhonin në kohë të shpejtë dokumentet e falsifikuara, bliheshin biletat dhe pajisnin personat me numra telefoni të shteteve ku do të udhëtonin.
Kalimi i kufirit shqiptar bëhej me pasaportat e tyre nga pika doganore e Hanit të Hotit. Ata nuk regjistroheshin në pikën e kalimit kufitar.
Në aeroportet e Spanjës dhe në Meksikë për të përfunduar në SHBA, ata pajiseshin nga anëtarët e grupit, me pasaporta false të këtyre shteteve. SPAK thotë se e gjithë kjo veprimtari kryhej për jo më shumë se 15-20 ditë.
GJykata e Posacme ka vendosur të lërë në burg 56-vjecarin Luc Melaj, i cili është organizator i skemës. Për dy punonjësit e doganës Tonin Melaj dhe Bashkim Cokaj dhe shtetasit Emanuel melaj dhe Gëzim Çamaj u caktua masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Nga kontrolli në banesat e këtyre personave. Policia sekuestroi mbi 8 mijë euro, 625 mijë lekë, 3,060 dollarë, 17 celularë, USB, fishekë, blloqe shënimesh, regjistra hyrje daljesh, bileta udhëtimi, mandate pagesash apo dhe mandate bankash.
Kjo veprimtari kriminale u zbulua nga hetimi i përbashkët i autoriteteve shqiptare të drejtësisë dhe Task Forcës pranë Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.
Klan News