Shëndetësia duhet të rrisë vigjilencën jo vetëm për shkak të pandemisë, por edhe për shkak të sezonit turistik.
Ky është mesazhi i përcjellë nga Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, gjatë inspektimit për masat e marra në informimin e qytetarëve në dy pikat hyrëse me të mëdha në vend, portin e Durrësit dhe aeroportin e Rinasit.
Gjatë vizitës në Durrës, Godo u ndal në spitalin e këtij qyteti, ku dhe janë të shtruar 8 persona si të dyshuar me gripin e derrit. Ndërkaq inspektimet e nisura nga ministria e Shëndetësisë do të shtrihen në të gjitha pikat kufitare dhe pikat e rretheve.
Anila Godo: “Në ministri të Shëndetësisë kemi krijuar grupe të cilat do të inspektojnë tërë spitalet rajonale dhe sidomos spitalet rajonale të qyteteve që ofrojnë shuam turizëm sepse jemi në sezon turizmi. Duhet të themi që në atë euforinë e turistit diçka ulet nga vëmendja për shëndetin. Është e domosdoshme që shëndetësia të shtojë vëmendjen dhe të shtojë tërë energjitë e saj, tërë kapacitetet në mënyrë që turistëve t’ju sigurojë një jetë të mirë dhe normale gjatë pushimeve të tyre. Krahas kësaj ne do të inspektojmë dhe të gjitha qytetet rajonale dhe të gjitha pikat kufitare, në mënyrë që të ruajmë një gatishmëri, një vigjilencë për të përballuar pandeminë që tashmë e dimë që është në vendin tonë.”
Nga aeroporti i Rinasit, Ministrja e Shëndetësisë, sqaroi se jo çdo person i prekur nga gripi e ka të nevojshme përdorimin e Tamiflusë, ndërsa deklaroi se disa doza të këtij medikamenti po rikontrollohen pasi janë në datën e skadencës.
Anila Godo: “Kemi një sasi Tamifluje e cila në kuti plotëson atë datën e skadimit, por nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe nga vet kompania na është thënë që mund të përdoret edhe një vit tjetër nëse është ruajtur gjatë kësaj kohe në kushte të mira, në ato kushte që janë të domosdoshme që medikamenti të mos skadojë. Tani jemi duke hetuar pak për të. Nëse ne në të gjithë zinxhirin e ruajtjes bindemi që është ruajtur në standardet e duhura mund ta përdorim, mund të bëjmë dhe një provë në qendrën e kontrollit të barnave. Nëse do bindemi që në ndonjë nga zinxhirët ka dalë jashtë kontrollit do të eliminohet.”
Nga ana tjetër ministria e Shëndetësisë ka porositur edhe 10 mijë doza të tjera Tamifluje./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami