Posta Shqiptare ka reaguar në lidhje me grabitjen e ndodhur këtë të hënë në kryeqytet, ku një person i armatosur mori një sasi parash nga filiali i një banke të nivelit të dytë, brenda ambienteve të Hipotekës. Në deklaratë, Posta sqaron se pre e grabitësit nuk ka rënë filiali i saj, por i bankës, sportelet e të cilave ndodhen pranë njëra-tjetrës.

“Posta Shqiptare saktëson dhe sqaron publikun për lajmin mbi grabitjen e Zyrës Postare të atashuar në ambientet e Hipotekës. Posta Shqiptare Sh.A, u njoh me lajmin e publikuar në disa media, në të cilin pretendohej “Grabitja e Zyrës Postare të atashuar në ambientet e Hipotekës, Tiranë”, për të cilin sqarojmë dhe saktësojmë:

Posta Shqiptare Sh.A u informua në lidhje me një grabitje që ka ndodhur në një Bankë të Nivelit të Dytë, në ambientet e sporteleve të zyrave të pritjes të Hipotekës, Tiranë.

Sipas informacioneve të marra nga organet kompetente, Sigurimi Postar dhe Policia e Shtetit, fatmirësisht rezulton se nuk ka patur dëmtime fizike në njerëz, dhe saktëson se kjo grabitje nuk ka ndodhur në Zyrën e Shërbimit Postar që operon në ambientet e brendshme të Hipotekës’,

thotë posta në reagimin e saj, ndërsa shton: 

“Duke shprehur keqardhje për këtë ngjarje, Posta Shqiptare dëshiron të informoj dhe të sigurojë të gjithë qytetarët që shërbimi nëpër sportelet e Postës Shqiptare vazhdon normalisht, duke garantuar siguri dhe cilësi maksimale”.

/tvklan.al