Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Numri dy i Partisë Socialiste Gramoz Ruçi, i ka treguar Presidentit të Republikës të ruaj vendin që i takon me Kushtetutë dhe të mos bëjë kërkesa, të cilat janë kompetenca të parlamentit.
Gramoz Ruçi:- “Deklarata e lëshuar nga presidenti, për ne si subjekt politik është politikisht e nxituar dhe kjo ka pak rëndësi, por e rëndësishme është që ka një tejkalim të kompetencave të tij kushtetuese. Kushtetuta në nenin 86 të saj, ka përcaktuar rolin e tij si përfaqësues i unitetit të popullit, ndërsa përmbajtja e deklaratës, shprehet për një pozicion të njëanshëm të tij. Në nenin 92, të Kushtetutës, janë përcaktuar kompetencat kryesore të presidentit, ndërsa në nenin 94 të kësaj Kushtetute është përcaktuar shprehimisht se, Presidenti nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera, përveç atyre që i njihen shprehimisht në Kushtetutë dhe që i jepen me ligj, të nxjerra në pajtim me të. Në rastin konkret, nuk është kompetencë e presidentit, të përcaktojë, apo dhe të nxisë, verifikimin e mazhorancave parlamentare. Përkundrazi, ky është një obligim kushtetues i parlamentit”.
Kryeministri Nano, në një komunikim telefonik me sekretarin e përgjithshëm të partisë, kishte mohuar kërkesën e presidentit për të paraqitur mocion votëbesimi. Gramoz Ruçi tha, se socialistët gëzojnë mazhorancën e 75 deputetëve dhe se nuk ka asnjë vendim të organeve drejtuese të partisë, për të përjashtuar ndonjërin prej tyre.
Gramoz Ruçi:- “Mazhoranca socialiste është shprehur në deklarimet e të gjithë faktorëve politikë të PS dhe të institucioneve të veta, që nuk ka asnjë deklarim, të asnjë deputeti socialistë, që distancohet nga grupi parlamentar dhe shpall pavarësinë e tij apo aderimin e tij në një grup tjetër parlamentar. Ashtu sikurse, nuk ka asnjë ndërmarrje dhe asnjë vendim, të asnjë strukture politike, siç është kryesia e partisë, KPD, apo grupi parlamentar i PS, për të gjykuar apo përjashtuar ndonjë anëtar të grupit parlamentar të PS”.
Në konferencën për shtyp Gramoz Ruçi i bëri thirrje Berishës të ndërpresë presionet ndaj KQZ dhe të ndjek rrugën e animimit të parashikuara në kodin zgjedhor. Votat e zgjedhësve për Tiranën sipas tij, dëshmojnë për fitoren e PS me 48.8% dhe të Edi Ramës me 57.8%.
Gramoz Ruçi:- “Ose rreth 25 mijë vota më shumë, se rivali i tij i PD”./tvklan.al
Gazetare – Arta Tozaj