Afro 60 mijë veta sipas policisë greke morën pjesë në tubimin kundër marrëveshjes së Prespës. Shumë shpejt mbizotëroi kaosi. Incidentet nisën kur grupime anarkiste të majta nisin të hidhnin shufra hekuri, bomba tymuese dhe objekte të tjera kundër policisë.
Forcat e policisë përdorën lëndë kimike dhe gaz lotsjellës për të zmbrapsur protestuesit. Pamjet tregojnë momentet e përplasjeve të dhunshme në sheshin para parlamentit.
10 policë e disa protestues mbetën të plagosur.
Tubimi ishte thirrur nga shoqata patriotike, por u mbështet edhe nga opozita. Manifestuesit të mbërritur me autobusë në qendër të kryeqytetit grek nga mbarë vendi hodhën parulla kundër kryeministrit Aleksis Cipras, të cilin e akuzojnë për tradhti kombëtare me mbështetjen që po i jep marrëveshjes së Prespës.
Vend në protestë kishte edhe për flamujt e Vorio-Epirit ku ishte stampuar edhe foto e Konstandin Kacifës, motra e të cilit mbajti edhe një fjalim.
“Prania juaj këtu është përgjigjia më e mirë ndaj tradhtareve”, tha ajo teksa iu drejtua manifestuesve.
Duke komentuar manifestimin e sotëm, kryeministri grek Aleksis Tsipras, tha se e drejta e qytetarëve për të protestuar është e panegociueshme në një shoqëri demokratike. Mirëpo ai bëri thirrje që qytetarët dhe forcat politike të distancohen nga manifestimet dhe parullat e urrejtjes. Marrëveshja do të paraqitet të hënën pasdite në komisionin parlamentar të politikës së jashtme. Synimi është që ajo të votohet në seancë plenare deri të premten.
Tv Klan