Greqia tronditet sërish dy javë para zgjedhjeve parlamentare. Një bombë shpërtheu sot në prag të shtëpisë së ish-ministrit të ekonomisë, socialistit Gerasimos Arsenis dhe të shoqes Luka Katseli, funksionare e lartë e ekonomisë së partisë së PASOK. Ajo është gjithashtu edhe kandidate për postin e ministres në kabinetin parazgjedhor të George Papandreu.

Atentati që mban firmën e anarkistëve, u paralajmërua nëpërmjet një telefonate anonime në një gazetë. Si pasojë e këtij sulmi nuk janë regjistruar viktima dhe dëmet janë të vogla. Megjithatë zona është rrethuar nga policia , ekipet e anti terrorit dhe zjarrfikësit.

Atentati rëndon situatën tashmë të nderë në Greqi ku dy partitë rivale Demokracia e Re  e kryeministrit në largim Kostas Karamanlis dhe ajo Socialiste e Papandreut përballen me mungesën e besimit të publikut dhe rënien ekonomike. Ishin pikërisht këto dy tema që Papandreu dhe Karamanlis prekën në debatin e tyre të parë televiziv.  Pavarësisht shpalosjes së platformave Sondazhet tregojnë se socialistët vazhdojnë të udhëheqin me 6 pikë ndaj konservatorëve./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle