Pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama se çështja e ashtuquajtur “Vorio Epir ka vdekur me kohë”, ka reaguar qeveria greke nëpërmjet zëdhënësit Pavlos Marinakis. Ai i kujton Shqipërisë, rrugën e integrimit duke vendosur sërish si kusht respektimin e plotë të të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri.
Pavlos Marinakis, zëdhënësi i qeverisë greke: Mundet që për zotin Rama të mos ekzistojë Vorio Epiri, por besoj se është diçka e sigurt që ekziston, minoriteti grek që jeton në Shqipëri dhe të drejtat e tij. Respektimi i këtyre të drejtave dhe në përgjithësi respektimi i minoritetit kombëtar grek është një kusht thelbësor për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ashtu siç e theksuan njëzëri 27 vendet e BE në mbledhjen e ministrave të jashtëm. Me pak fjalë rruga e Shqipërisë për në Evropë kalon nga Athina, kalon nga Greqia dhe ka një parakusht që askush nuk mund ta anashkalojë që është respektimi i minoritetit kombëtar grek në Shqipëri.
Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe deputetët e mazhorancës dhe ata të opozitës duke i cilësuar provokime qëndrimet e Ramës në Selanik.
Thanos Plevris, deputet Nea Demokratia: Këtë sjellje provokuese nuk mund ta anashkalojmë pasi ai e thotë diçka të tillë brenda tokës Helene. Atëhere është e qartë se zoti Rama dëshiron të provokojë dhe ne duhet të përgjigjemi. Për ne termi Vorio Epir është në shpirtrat tanë në zemrën tonë dhe nëse zoti Rama thotë se është i vdekur, kjo do të thotë që e shqetëson, sepse e di që ato territore janë Vorio Epiri.
Giannis Sarakiotis, deputet Syriza: Zoti Rama duhet të bëhet i vetëdijshëm që rruga e Shqipërisë drejt integrimit në BE kalon nëpërmjet respektimit të të drejtave të minoritetit grek në Epirin e Veriut.
Gazeta greke, “Protothema” shkruan se komentet e kryeministrit shqiptar erdhën pasi disa njerëz, të cilët ai i përshkroi si “fantazmat e së kaluarës” protestuan për praninë e tij, duke përdorur fletëpalosje dhe slogan në lidhje me çështjen e Vorio Epirit.
Mediat greke thonë se kryeministri Rama po përgatit një tjetër tubim, kësaj radhe pritet të organizohet në Kretë.
Klan News