Gripi i derrave prek Evropën. Rasti më i ri është ai i një gruaje 31-vjeçare në Venecia të Italisë, e cila sapo ishte kthyer nga Kalifornia. Një tjetër rast është konfirmuar në Spanjë. Ministria spanjolle e Shëndetësisë ka njoftuar një ndër personat që iu nënshtruan kontrolleve, është i infektuar me virusin H1N1. 17 të tjerë po u nënshtrohen analizave. Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso paralajmëroi këtë javë mbledhje urgjente të ministrave të Shëndetësisë së Bashkimit Evropian, gjithsesi kërkoi shmangien e spekulimeve lidhur me situatën.

Jose Manuel Barroso: “ Komisionari për Shëndetësinë ka kërkuar mbledhje urgjente të BE dhe sigurisht ne do të analizojmë me kujdes situatën. Megjithatë është shumë shpejt për spekulime. U them qytetarëve evropiane se të gjitha vendet e bllokut do të bashkëpunojnë me njëri tjetrin.”

Deri tani në Meksikë, 103 persona kanë gjetur vdekjen si pasojë e infektimit me virusin vdekjeprurës, po ashtu janë edhe 1614 raste të tjera infektimi. Megjithatë vetëm 18 raste janë identifikuar se kanë qenë të infektuar me virusin H1N1. Persona të prekur nga virusi vdekjeprurës ka edhe në Kanada, Izrael e Zelandë e Re. Rusia dhe Kina kanë bllokuar importin e të gjitha produkteve të mishit nga Meksika dhe Shtetet e Bashkuara.

Për t’i ardhur në ndihmë Meksikës, Banka Botërore ka dhënë 205 milionë dollarë. Ekspertët janë shprehur se për prodhuar vaksinat do të duhen muaj të tërë, çka e bën edhe më shqetësuese situatën. Simptomat e gripit të derrave janë temperatura, humbja e oreksit, të vjellat, kolla dhe diarreja: të njëjta me ato të gripit të zakonshëm sezonal. /tvklan.al