Shefi i shërbimit infektiv në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza konfirmon zyrtarisht lajmin e dhënë një ditë më parë nga televizoni Klan, se në reanimacionin e këtij shërbimi gjendet i shtruar një pacient i prekur nga virusi gripal AH1N1 apo siç njihet ndryshe gripi i derrit. Madje ai thotë se një tjetër pacient i prekur nga ky virus është trajtuar në këtë repart dhe i ka lënë ambientet e tij pasi ka marrë trajtimin e nevojshëm.
Konfirmimi vjen pas insistimit të Televizionit Klan për t’u njohur me situatën, nisur nga fakti se mjekët e infektivit konfirmuan një ditë më parë se një pacient i prekur me AH1N1 po trajtohej në reanimacion, ndërsa drejtuesit e ministrisë së Shëndetësisë e mohuan këtë fakt.
Por nuk janë vetëm këto raste të prekura nga virusi pandemik. Drejtori i Shëndetit Publik Gamend Bejtja bën me dije se deri më tani në të gjithë vendin janë konfirmuar 14 raste me grip derri.
Nga 14 rastet, 5 jane te rende. 2 jane zbuluar në janar dhe 3 në shkurt. Sa i takon shpërndarjes gjeografike 1 rast eshte ne vlorë, 2 në durrës dhe 2 në kryeqytet.
Ndryshe nga vitet e shkuara ministria e Shëndetësisë ka përzgjedhur si formë sensibilizimi rekomandimet që jep mjeku i familjes pa bërë një fushatë ndërgjegjësimi për popullatën. Kjo ka sjellë edhe përdorim të ulët të vaksinës në popullatë, çka për specialistët përkthehet në më shumë raste me grip se e njejta periudhë e vitit të shkuar.
Por ky është vetem fillimi i situatës gripale në vendin tonë. Pasi në parashikimet e bëra pritet që numri i të prekurve të vijë në rritje në javët në vijim. Në Greqi deri tani gripi i derrit ka shkaktuar 62 viktima dhe pritet të ketë rritje të numrit të të prekurve. Ministria e Shëndetësisë mesohet se ka marrë masa për të shpërndarë Tamiflu nëpër spitale.
Bruna Cami