Nëna e 4 fëmijëve, rrëfeu ditën e sotme në programin “Historia ime”, në Tv Klan dhunën e vazhdueshme nga ana e bashkëshortit. Vitet e para të martesës kanë qenë shumë të mira, deri kur ai filloi alkoolin.
Për 26 vite, ai e dhunonte, e kërcënonte, e nxirrte nga shtëpia së bashku me fëmijët. Ajo e kishte të pamundur të fliste me të sepse gjithmonë vinte në shtëpi në gjendje të dehur.
Situata u bë tepër e vështirë dhe e papërballueshme, prandaj Drita vendosi të ndahej prej tij dhe të merrte urdhër mbrojtje.
Gazetarja: Ju keni bërë divorc?
Drita: Kam bërë divorc në vitin 2016.
Gazetarja: Si ndodhi pjesa e divorcit, kush e mori vendimin?
Drita: Unë e mora vendimin, se thashë deri këtu, nuk shtyhet më, nuk mundem.
Gazetarja: Si durove gjithë këto vite? Pse vendose kaq vonë?
Drita: Vendosa kaq vonë se dhe mua më erdhi shpirti në fyt, e pashë që nuk kisha ku të shkoja më. E pashë që dhe ai u çakordua shumë, e tejkaloi jashtë mase. Nuk kishte ditë që ai nuk pinte. Unë kisha qejf ku ta gjeja ndonjë ditë esëll, që të bëja muhabet me të. Ai asnjë ditë nuk rrinte esëll, vetëm tapë. Madje edhe gjithë komshinjtë, të dalësh të pyesësh të gjithë thonë që ai ka qenë më pijaneci këtu në Bulqizë. Mbasi u fut në burg herën e dytë, iu thashë kalamajve unë do të bëj divorcin, nuk mund ta shtyj me të më. U çua goca e madhe dhe tha: O mami deri tani ti e ke humbur jetën për ne. Forca ime kanë qenë fëmijët e mi jo ai, edhe sot që jam në këtë gjendje, me një dorë thuaj forca ime janë dy kalamajtë e mi. Unë 100 herë kam tentuar të vras veten, prapë kur më shkonte mendja tek kalamajtë thosha, mirë unë do iki, babin e vet e kanë në burg, këta kush do m’i mbajë. Gjithmonë mendoja për ta. U ndamë ai pa punën e vet, unë punën time, se ishte në burg. Mbasi doli ai erdhi në shtëpi prapë.
Gazetarja: Edhe pse ishit të ndarë?
Drita: Edhe pse isha e ndarë, ai erdhi në shtëpi, nejse për hir të kalamajve unë i lirova një dhomë. Ai prapë vinte pinte, më shante, më torturonte, më thoshte ti je sakate, nuk je për punë. Ti do vdesësh më thoshte, unë do të mbaj me bukë ty. Më shante jashtë mase. Më pas unë shkova në polici, ishte ora 12 e natës, më nxorri përjashta me dy fëmijët.
Gazetarja: Po pse?
Drita: Se ashtu i tha mendja, ishte tapë. Mora dy kalamjtë dhe shkova tek vjehrra ime, ajo më mbajti atë natë aty. Të nesërmen shkova në polici dhe i thashë që dua urdhër mbrojtje. Nuk dua që ai njeri të më vijë në shtëpi dhe të më trazojë më. Mirë mua, se ma ka bërë jetën ferr, nuk dua të më tmerrohen fëmijët, i kam thënë.
Gazetarja: Ndaj fëmijëve ishte i dhunshëm?
Drita: Çunit i bërtiste, kurse gocës jo.
Gazetarja: Nuk i prekte me dorë?
Drita: Jo me dorë nuk e prekte, por pët të bërtitiur, i bërtiste shumë.
Gazetarja: Kur ka qenë hera e fundit që e ke takuar?
Drita: Nuk e kam takuar fare, që atë natë që më nxorri perjashta. Nuk e kam takuar, as nuk komunikoj me të. Nuk komunikoj me të, se ma ka nxirrë jetën./tvklan.al