Në një intervistë për emisionin “Historia ime” në Tv Klan ka qenë gruaja e Selman Stërmasit, ikonës së futbollit në Shqipëri. Nezihat Stërmasi në Shtator të këtij viti festoi 100-vjetorin e saj të lindjes. Ajo është kthyer pas në kohë dhe ka folur për dasmën dhe kujtimet e bukura që ka kaluar me bashkëshortin e saj të cilin e konsideronte një mashkull shumë të bukur, të pastër dhe një njeri të mrekullueshëm.
Mirela Milori: Në moshë 18 vjeç u martove, sa vjet më i madh ishte ai?
Nezihat Stërmasi: 8 vite më i madh. Ishte njeri i mrekullueshëm dhe djali më i bukur i Tiranës.
Mirela Milori: Po ti ke qenë më e bukura e Tiranës?
Nezihat Stërmasi: Unë nuk e di si isha, por ai visheshe bukur, ishte shumë i rregullt. Pasi u martuam erdhëm në këtë shtëpi dhe dhoma jonë ka qenë kjo që po flasim tani.
Mirela Milori: Ti ke hyrë në këtë shtëpi para 82 vitesh dhe këtu fillon historia. Si ka qenë dita e dasmës?
Nezihat Stërmasi: Makina erdhi deri këtu, më zbritën dhe më futën në shtëpi dhe i qërasa njerëzit që vinin tek unë.
Mirela Milori: Si ishte fustani i nusërisë?
Nezihat Stërmasi: Fustani ishte shumë i bukur, ma kishte prerë kunata ime nga Greqia. Fustan i gjatë me bisht dhe vello shumë i bukur. Më lyeu dhe rregulloi një franceze ajo erdhi në shtëpi e më bëri tualetin.
Mirela Milori: A u bëre nuse e bukur?
Nezihat Stërmasi: Ku di unë si isha bërë, njerëzit më shikonin me qejf dhe thoshin sa e bukur. Thoshin nusja më e bukur e Tiranës.
Mirela Milori: Po Selmani çfarë të tha kur të pa nuse?
Nezihat Stërmasi: Ah Selmani ka qenë shumë i mirë. Ishte shumë liberal. Në atë kohë dhëndri nuk vinte të merrte nusen në shtëpi, ai erdhi më mori me makinë edhe gjithë shokët e vetë. Kishte 100 vetë për darkë dhe unë në krye të tavolinës. Ishte shumë modern. Prindërit e tij kishin vdekur, vetëm halla e tij më priti, me lot më priti sepse nuk kishte të vëllain. Ajo ishte e para e shtëpisë. /tvklan.al