Kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski nuk është shprehur i shqetësuar nga deklarata e ish-kryeministrit shqiptarë Pandeli Majko se shqiptarët duhet të djegin flamurin maqedonas në qendër të Shkupit. Gruevski ka refuzuar edhe kërkesën që si kryeministër t’u kërkojë falje shqiptarëve, duke vlerësuar se deklarata e Majkos ka për qëllim përfitime politike.
Nikolla Gruevski: “Me sa di unë bëhet fjalë për politikan opozitar i cili me siguri lufton për ndonjë pozitë në vendin e tij. Andaj do të përmbahen nga çfarëdolloj komenti. Sidoqoftë komentet e atilla nuk kontribuojnë për marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore.”
Majko në emisionin Opinion në Tv Klan, deklaroi se pas publikimit të enciklopedisë maqedonase, shqiptarët kanë të drejtën e zotit për të ndezur flamurin maqedonas në qendër të Shkupit.
Pandeli Majko: “Në një vend normal, me njerëz që e kuptojnë ç’është buka dhe nderi, kanë të drejtën e zotit të djegin flamurin në mes të Shkupit.”
Blendi Fevziu: “Flamurin maqedonas?”
Pandeli Majko: “Kanë të drejtën e zotit.”
Deklarata e ish kryeministrit Majko dhënë në Opinion është transmetuar nga të gjitha mediat kryesore në Maqedoni. Interesim të njëjtë tek mediat e këtushme ka ngjallë edhe deklarata e kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti dhënë në emisionin Zona e Debatit në Klan Kosova.
Ali Ahmeti: “8 vite bëhen, armëpushim pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit ka armëpushim. Këtë armëpushim e ka prishur një zoti Bllaze Risterski, prish armëpushimin thotë. Si një ushtar i papërgjegjshëm, i pandërgjegjshëm për kombin e vet.”
Në ndërkohë mediat maqedonase njoftojnë se gjithnjë e më të mëdha janë gjasat që skandali i shkaktuar nga Akademia Maqedonase me botimin e enciklopedisë negativisht të reflektohet edhe në raportin e Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë gjatë vitit 2009.
Nga Shkupi për Tv Klan, Isen Saliu./tvklan.al