Mëngjesin e kësaj të premteje ka mbërritur në brigjet shqiptare anija luftarake italiane “Libra”.

Në bordin e saj ishin 8 emigrantë të cilët fillimisht do të qëndrojnë në qendrën pritëse në Shëngjin. Atje do t’i nënshtrohen procedurave të regjistrimit, kontrollit mjekësor, ushqimit dhe veshmbathjeve. Më pas ata do të transferohen nga porti për në kampin e Gjadrit.

Fillimisht ishte planifikuar që drejt kampit në Gjadër të zhvendosej edhe një person tjetër, por personi i nëntë, me origjinë nga Bangladeshi u gjykua se ishte shumë e moshuar dhe me shëndet të dobët, ndaj iu mundësua qëndrimi në Itali.

Këta azilkërkues u shpëtuan të hënën e kaluar në ujërat ndërkombëtare në jug të Lampeduzës nga autoritetet italiane.

Ky është transferimi i dytë i parashikuar nga sistemi i ri për menaxhimin e emigrantëve që vijnë në brigjet italiane të kërkuar nga qeveria e Giorgia Melonit./tvklan.al