Trajneri i kombëtares shqiptare Arie Haan pas 8 muajsh nën drejtim të ekipit ka pranuar se ende nuk i njeh të gjithë futbollistët që ka për takimin ndaj Suedisë. Haan kishte thënë me ardhjen e tij në Shqipëri se i dihej pak kohë për t’i njohur lojtarët, por një ditë përpara ndeshjes ai jep një deklaratë tjetër.

I pyetur nga TV Klan mbi këtë fakt kontradiktor ai përgjigjet:

Arie Haan: “Është vështirë të njohësh futbollistët kaq shpejt, me dy ndeshje miqësore dhe me disa ditë stërvitje nuk mund të dish cilësitë e secilit, psh Besart Berishën do ta kem në dispozicion për herë të parë në një takim.”

Arie Haan ka kryer stërvitjen e fundit pasditen e së premtes duke angazhuar lojtarët në ndeshje disa minutëshe që i dhanë mundësinë të provonte futbollistët me njëri tjetrin. Nga ajo që u pa në fushë pritet që në portë të jetë Beqaj, në mbrojtje mund të rreshtohen Dallku, Beqiri, Curri dhe Vangjeli. Mesfusha sektori më i qëndrueshëm i kuqezinjve pritet të ketë Duron, Canën, Lalën, Skelën dhe Hykën. Pjesa më e pazbulueshme është sulmi, i cili bëri që Arie Haan të thërrasë dy element më shumë në dallim me miqësoren ndaj Lihtenshteinit.

Sfida e Shqipëri-Suedi do të luhet të shtunën në ora 18 e 45 në stadiumin “Qemal Stafa” që pritet të jetë i mbushur plot./tvklan.al

Gazetar: Endrit Sauku