Pasi ka bërë një përmbledhje të shkurtër të vitit 2008 presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka pasqyruar projektet e organizmit që drejton për 2009-tën.

Në fillim të fjalës së tij ai vlerësoi klimën e bashkëpunimit me Ministrinë e Sporteve.

Armand Duka: “Ky vit ka filluar me një klimë tjetër, me një klimë më të mirë, dmth, dihet ne kemi disa punë që i bëjmë bashkërisht me Ministrinë e Kulturës, Rinisë, Turizmit dhe Sporteve. Kemi nisur një projekt për riorganizimin e klubeve shqiptare dhe me goxha bashkëpunime për nxjerrjen e ligjeve që duhen për privatizimin e klubeve e të tjera me radhë.”

Në projektet e Federatës Shqiptare të Futbollit për 2009-tën vëmendje e veçantë do t’u kushtohet ekipeve të të rinjve dhe do të rikonstruktohen fushat e nëntë stadiumeve me bar artificial si dhe do të ndërtohet sistemi i ndriçimit për gjashtë stadiume të tjera.

Një projekt ambicioz është edhe ai i ndihmës për klubet shqiptare të futbollit për shitjen e së drejtës të transmetimit të ndeshjeve të Superligës, komercializimin e kampionatit. Të ardhurat do të shkojnë vetëm për ekipet.

Federata do të shërbejë si administratore. Në muajin Shkurt Federata e Futbollit ka menduar të akordojë në formë ndihme rreth 200 mijë euro për klubet e Superligës.

Duke e parë si të vështirë ndërtimin e një stadiumi me standardet e Champions League për mungesën e terrenit Duka shtoi se po bisedohet me Ministrin e Sporteve, Ylli Pango, për rikonstruktimin e Qemal Stafës.

Projekti prej 10 milion eurosh do të financohet në 50% nga federata. Një pikë e nxehtë është edhe trukimi i ndeshjeve të ekipeve shqiptare në kupat e Evropës. Duka ka propozuar një tjetër projekt për shmangien e fenomenit.

Armand Duka: “Ne po mendojmë një lloj skeme financiare që ta shmangi pak a shumë për vitin 2009. Ekipet që kalojnë ture shpërblehen nga UEFA, t’i vehet dhe një shpërblim nga Federata Shqiptare e Futbollit, gjë që t’i bëjë futbollistët dhe klubet më shumë të impenjuar për ta fituar ndeshjen sesa për ta humbur”.

Presidenti i federatës ka pranuar se do ta ketë ëndërr kualifikimin e Shqipërisë në Botërorin 2010, por ka shtuar se një gjë e tillë do të jetë tejet e vështirë./tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe