Jetmir Sefa, ka shpëtuar Tiranën nga humbja e parë në kampionat duke ndihmuar ekipin e tij ta mbyllte me rezultatin 1-1 takimin me Besën. Sfida përmbyllëse javës së nëntë të Superligës pati një lojë të ndezur që u shfrytëzua më mirë nga skuadra kavajase në pjesën e parë. Mancaku kaloi në avantazh Besën në minutën e ’16 duke shënuar mes mbrojtësave bardh e blu.
Skuadra e drejtuar nga Sliskovic pas pushimit rifitoi qetësinë dhe barazoi rezultatin në të ’62 falë një goditjeje me kokë të Sefës. Minutat e fundit Besa i ka zhvilluar me 10 lojtarë pas daljes me të kuq të Progrit. Tifozeria bardh e blu lëshoi shishen në drejtim të stolit kavajas pak përpara fërshëllimës së fundit. Tirana pas nëntë ndeshjesh ndodhet e para me 19 pikë, 3 më shumë se vendi të dytë Dinamos.
Arie Haan: “Erdha të shikojë lojtarët e kampionatit shqiptar dhe nuk kam fituar njohuri të reja për futbollistët. Ndeshja e sotme ishte një niveli më të lartë se ajo Partizani-Shkumbini. Unë do të vij sërish javën e ardhshme dhe mendoj se ata që duan të jenë pjesë të kombëtares duhet të japin më shumë”.
Vasil Bici e ka nisur me barazim punë e tij te Lushnja. Sfida e luajtur në stadiumin “Roza Haxhiu” ndaj Teutës është mbyllur me rezultatin 1-1. Bubeqi ka shënuar pak minuta pas fillimit të lojës për vendasit që zotëruan pjesën e parë. Miqtë kanë barazuar takimin me anë Hysës në minutën e ’58 duke arritur rezultatin e gjashtë pozitiv radhazi. Java e dhjetë e Superligës do të luhet më 10 nëntor./tvklan.al
Gazetari: Endrit Sauku