19 lojtarë ka grumbulluar trajneri i kombëtares Arie Haan, për ndeshjen me Maltën e cila do të luhet më 11 shkurt, por vërehet se në listë nuk janë emrat e Memellit, Kapllanit, Hykës, Xhihanit e Dorian Bylykbashit. Këta të fundit janë duke ecur mjaft mirë me skuadrat e tyre në Ukrainë. Trajneri është justifikuar duke thënë se Xhihani nuk e ka ndjekur fare, Bylykbashi luan në një pozicion që tashmë është i zënë, ndërsa mungesa e Kapllanit u arsyetua se ishin thirrur disa sulmues. Ndërsa Memelli edhe pse ka luajtur mirë nuk e ka bindur trajnerin plotësisht.
Skuadrës në këtë takim që sipas Haanit është më i vështirë se i pari do ti mungojë Lorik Cana, Altin Lala, të dy të dëmtuar. Tekniku nuk e ka vendosur ende si do t’i mbulojë boshllëqet që lënë këta dy futbollist por pranon se një ide e ka edhe pse nuk e bëri të ditur.
Arie Haan: “Mungesa e Canos dhe Lalës dihej, ne nuk kemi pse ti komentojmë tani. Vendet e lëna bosh prej tyre do të mundohemi t’i zëvendësojmë me futbollistët që kemi Endri Vrapi, mund të jetë një zëvendës i Canës. Malta do të jetë e motivuar 200 % sepse ata mendojnë se vetëm kundër Shqipërisë kanë mundësi të marrin pikë. Shpresoj që futbollistët tanë të luajnë si një grup i mirë ashtu siç kanë treguar me Portugalinë. Ne do të futemi për të fituar por nëse humbim, fitojmë apo barazojmë analizën do ta bëjmë në fund”.
Grumbullimi i kombëtares do të bëhet në Maltë duke filluar që nga dita e diel kur do të nisen për në ishullin mesdhetarë futbollistët që luajnë në Shqipëri bashkë me stafin./tvklan.al
Gazetari: Erion Todhe
Operator: Metlin Kepi