Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Presidenti i Jugosllavisë Sllobodan Millosheviç do të përgjigjet përpara Gjykatës së Hagës, për krime kundër njerëzimit të kryera në Kosovë. Millosheviçi dhe katër udhëheqës të tjerë jugosllavë, ndër të cilët dhe Presidenti i Serbisë Milutinoviç do të përgjigjen për krimet, vrasjet, deportimet, persekutimet mbi popullsinë e Kosovës.
Aktpadia e Gjykatës Ndërkombëtare për krimet e luftës është bëre sot edhe formalisht nga Prokurorja e Tribunalit Luisa Arbur në një konferencë shtypi në Hagë. Arbur tha se mandatarresti bashkë me kërkesën për bashkëpunim, u është dërguar të gjitha vendeve si dhe kërkesa për bllokimin e të gjitha llogarive bankare të Millosheviçit dhe bashkëpunetorëve të tij.
Luisa Arbur tha se asnjë kërkesë për imunitet të Millosheviçit nuk do merret në konsideratë. Sipas reagimeve të para vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për ndejkjen e Millosheviçit ëhtë mirëpritur dhe përshëndetur nga shumica e vendeve dhe shoqatave humanitare.
Presidenti Amerikan Bill Klinton deklaroi se e përshëndet padinë e ngritur kundeër presidentit Millosheviç për krime kundër njerëzimit dhe theksoi se bombardimet e Natos do të vazhdojnë. Xhemi Shi në emër të Aleancës tha se vendimi i Gjykatës nuk do të ndryshojë asgjë në fushatën ajrore dhe kërkesat e NATO-s.
Ministri i Jashtëm Britanik Robin Kuk e mirëpriti vendimin e Gjykatës dhe premtoi ndihmën e vendit të tij. Kina ka shprehur shqetësimin e saj për këtë vendim ndërsa Rusia ka deklaruar se akuza ndaj Milloshevicit bëhet me qëllim të komplikimit të procesit të paqes./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego