Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Johannes Hahn, ka falenderuar sot shkrimtarin Ismail Kadare për mbështetjen ndaj ambasadores së BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin, pas një shkrimi në media që përmbante fyerje dhe kërcënime serioze për të.

“Faleminderit të madhit Ismail Kadare për mbështeten ndaj ambasadores Vlahurin. BE-ja punon fort për të gjithë njerëzit në Shqipëri”, tha Hahn në një postim në Tëitter.

Ditën e djeshme, delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri publikoi një letër të hapur nga shkrimtari Ismail Kadare, pas publikimit nga shtypi shqiptar të një artikulli që përmbante fyerje dhe kërcënime serioze me rrezik për shëndetin dhe jetën e Ambasadores së BE-së Romana Vlahutin.

E nderuara Zonjë,

Më lejoni t’ju drejtohem me këtë letër krejtësisht personale, për tronditjen që më shkaktoi sot fyerja e paskrupullt që u bë publikisht kundër jush në shtypin shqiptar.

Nuk është fjala për të sqaruar këtu se ç’është fyerja e një njeriu jo normal dhe se sa pak lidhje ka ajo me një popull e një shoqëri të tërë. Megjithatë ajo fyerje u botua nga shtypi i vendit tim, kështu që në një mënyrë ose një tjetër na vuri para përgjegjësisë të gjithëve.

Ndonëse shkrimtar i njohur, nuk marr përsipër të përgjigjem për ato çka mund të ndodhin në këtë vend, për mirë apo për keq. Do të doja thjesht të ndaja me ju pikëllimin që mund të ndiejë njeriu, i cili, në vendin ku vjen të ndihmojë për kapërcimin e brengave, ndeshet me një mosmirënjohje të tillë.

E dashur Romana Vlahutin, do të isha gati t’ju kërkoja ndjesë në gjunjë, për t’ju siguruar se mirënjohja për ju është e do të jetë e pacënueshme.

Ismail Kadare

Paris, 10 maj 2017”

Të martën, në shtypin shqiptar u publikua një shkrim nga juristi dhe gazetari Kastriot Myftaraj, i cili u arrestua si i akuzuar për thirrje të hapura për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues.

Bëhet fjalë për një shkrim kundër ambasadores së BE në Tiranë, Romana Vlahutin, i postuar fillimisht në rrjetet sociale prej Myftarajt dhe më pas të botuar në disa media online. Myftaraj e akuzon ambasadoren e BE-së në Tiranë se ka punuar kundër interesave të Shqipërisë, kundër Kushtetutës dhe integrimit të vendit tonë.

Nisur nga këto shkruante Myftaraj, çdo shqiptar që do atdheun e vet mund ta vrasë Romanën dhe ky do të ishte një akt antiterrorist, jo terrorist. Kjo deklaratë sipas policisë bie ndesh me nenin 223 te Kodit Penal që sipas policisë është thirrje publike për veprime të dhunshme.

Ajo për të cilën akuzohet Myftaraj dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet. Por, prokurori të cilit iu referua çështja nuk është bindur me provat e policisë. Ai ka kërkuar lirimin e Myftarajt për mungesë të provave./tvklan.al