Komisioneri europian për Zgjerimin, Johannes Hahn thotë se avancimi në rrugën drejt Bashkimit Europian duhet të jetë një qëllim kombëtar për të gjithë dhe duhet të jetë mbi interesat e partive politike. Deklaratat, Hahn i bëri pas takimit që zhvilloi në Bruksel me Ministrin e Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj.

Në një postim në Twitter, zyrtari europian thotë se i shprehu ministrit shqiptar shqetësimin për tensionet në rritje mes mazhorancës dhe opozitës.

“Takim frytdhënës me Ministrin e Jashtëm në detyrë Gent Cakaj. Ripërsërita se Shqipëria duhet të shfrytëzojë mundësinë për të vijuar edhe më tej për të avancuar në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. Në të njëjtën kohë shpreha shqetësimin tim të madh sa i përket tensioneve në rritje mes qeverisë dhe opozitës. Avancimi drejt rrugës së Bashkimit Europian duhet të jetë mbi interesat e partive politike dhe duhet të përbëjë një qëllim kombëtar për të gjithë”,

shkruan Hahn.

Më herët, Cakaj u takua edhe me Reporterin për Shqipërinë, Knut Fleckenstein, i cili ripërsëriti thirrjen për maturi politike.

/tvklan.al