Parlamenti evropian i kërkon politikës shqiptare që të gjejë kompromis në lidhje me përkeqësimin e klimës politike të shkaktuar nga bojkoti i Partisë Socialiste në kuvend.
Sa i takon kërkesës së opozitës për hapjen e kutive eurodeputeti Hannes Swoboda tha për radion gjermane, Deutsche Welle, se në qoftë se gjykata ka vendosur se nuk ka diçka për t’u korrigjuar atëherë vendimi i saj duhet pranuar edhe në rast se do të ketë të pakënaqur.
Ndërkohë Swoboda pohon se bojkoti parlamentar dëmton imazhin e Shqipërisë në sytë e Bashkimit Evropian.
Çdo konflikt i brendshëm dhe sidomos bojkoti parlamentar është një dëmtim i imazhit të shtetit përpara BE-së.
Kjo është mëse e qartë, veçanërisht në atë kohë kur diskutohet për çështje të mëdha siç është liberalizimi i vizave, për bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, citohet europarlamentari.
Lidhur me pyetjen se si mund të zgjidhet kriza politike, Swoboda tha se Bashkimi Evropian është kundër bojkotit parlamentar, pasi siç theksoi se deputetët janë zgjedhur që të marrin pjesë në parlament ndaj roli i opozitës duhet të jetë aty.
Sido që të jetë grupet e mëdha duhet të shohin se si mund të kapërcejnë këtë krizë tha ai.
Europarlamentari shprehu besimin se sa i takon heqjes së vizave këtë synim Shqipëria do ta arrijë brenda këtij viti./tvklan.al