12 pallate të reja, përfundojnë pas 20 muajsh
Bashkia e Tiranës i ka hapur rrugë rindërtimit të 12 pallateve në zonën “5 Maji” mes njësive vendore 4 dhe 8 në kryeqytet.
Tenderi për një kontratë me vlerë 63 milionë Dollarë, e cila është e përjashtuar nga tatimi mbi vlerën e shtuar për shkak të statusit të veçantë që mori procesi i rindërtimit, do të nisë ndërtimin e pallateve të pabanueshme në zonën e “5 Majit”, pas goditjes që i dha tërmeti i 26 Nëntorit.
Ndërtimi i njësive të banimit të llojit apartament do të strehojnë qindra familje, të cilat kanë mbetur pa shtëpi.
Përpara disa muajsh Instituti Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit nisi shembjen e pallateve të dëmtuara në këtë zonë.
Tenderi i hapur nga bashkia po bëhet përmes një procedure të kufizuar, e cila eliminon kohën e gjatë për pritjen dhe përzgjedhjen e ofertave, me qëllim përfundimin sa më parë të ndërtimit të banesave.
Sipas kritereve që kërkohen, kompania duhet të dorëzojë brenda 20 muajve të gjithë projektin e përfunduar, duke përfshirë dhe rregullimin e infrastrukturës në këtë zonë, ndërsa pallatet duhet të ndërtohen brenda 18 muajve.
Tv Klan