Tuneli i Porto Palermos ka parë dritën e diellit pas 32 vitesh. Hapja e portës prej çeliku të këtij tuneli ujor të veshur me betonarme ka vënë për herë të parë në lëvizje mekanizmin e saj, pas mbi 3 dekadave mosaktivizim. Hapja e tunelit është kryer nën drejtimin e stafit inxhinierik te batalionit të xhenios dhe kaloi pa asnjë problem.
Ka qenë vetë kryeministri Edi Rama i cili publikoi pamjet nga hapja e këtij tuneli. Kreu i qeverisë ka theksuar se me hapjen e tunelit nënujor të Porto Palermos, ka nisur projekti i Ministrisë së Mbrojtjes për ta kthyer Gjirin magjepsës të Panormës në një destinacion të turizmit historik,
“Do të ndërthurret natyra e paprekur e gjirit, vendosur nën mbrojtje nga qeveria shqiptare, me rijetëzimin e godinave të vjetra ushtarake, krijimin e muzeut të Luftës së Ftohtë, si edhe jetëzimin e kalasë së famshme të Ali Pashës”, tha ai.
Hapja e këtij tuneli, dikur një sekret ushtarak, është hapi i parë i projektit që synon rijetëzimin dhe rehabilitimin e të gjithë kompleksit infrastrukturor në Gjirin e Panormës për funksione ushtarake dhe civile.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes hapi tjetër do të jetë përshtatja joinvazive e objekteve të kompleksit që nuk gëzojnë më funksione ushtarake, me qëllim krijimin e një atraksioni turistik të qëndrueshëm, duke respektuar normat mjedisore dhe duke ofruar kushte sa më të larta sigurie lundrimore.
Projekti synon gjithashtu të rikthejë në gatishmëri teknike këto asete të çmuara të Forcës sonë detare, të cilat mund të shërbejnë për qëllime stërvitjesh kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ndërtimi i këtij tuneli nisi në 1969 dhe zgjati deri në vitin 1988. Para viteve ‘90 tuneli shërbente si një bazë autonome për strehimin dhe kalimin e sigurt të mjeteve detare të marinës ushtarake të kohës, brenda gadishullit të Porto Palermos.
Klan News