Në Borje të Kukësit është hapur pas 60 vjetësh pika e kalimit kufitar me Kosovën.

Borja, pjesë administrative e komunës së Shishtavecit është një fshat me 1 mijë banorë dhe që në periudhën e dimrit izolohet tërësisht me qytetin e Kukësit.

Për banorët i vetmi shpëtim për urgjencat dhe furnizimin me ushqime mbetet Kosova.

Në mungesë të pikës së kalimit kufitar banorët kalonin ilegalisht kufirin duke sjellë probleme për policinë e Kosovës e cila shpesh i ka ndëshkuar ata.

“Gjithë banorët pa përjashtim të vegjël e të mëdhenj, të rinj, pleq të gjithë jemi tej mase të gëzuar dhe në këtë rast ne falënderojmë qeveritë e dy vendeve për këtë ngjarje solemne që do të mbetet e pashlyer në kujtesën e këtij populli kaq të shumë vuajtur.”

Ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë Islam Lauka, pjesëmarrës në ceremoninë e hapjes së kësaj pike, thotë se qeveritë e Tiranës e Prishtinës kanë një sërë marrëveshjesh për krijimin e lehtësirave në kalimin e shtetasve dhe mallrave përgjatë vijës kufitare mes dy vendeve.

Islam Lauka: “Kosova tani është shteti i pavarur, shtet i lirë, shtet sovran dhe Kosova arrin që të marrë vetë vendimet që ajo i gjykon të arsyeshme. Kjo ka qenë një shprehje e gatishmërisë së qeverisë shqiptare, e hershme e cila u bë realitet duke iu përgjigjur me po të njëjtën gatishmëri edhe qeveria e Kosovës.”

Në këtë pikë regjistrohen të paktën 100 kalime udhëtarësh në ditë. Me hapjen e saj, numri i doganave mes Shqipërisë dhe Kosovës arrin në 6./tvklan.al