Hapet spitali ditor brenda Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, e para strukturë e këtij lloji në Shqipëri me një kapacitet prej 60 shtretërish, i cili do t’u vijë në ndihmë 56 mijë pacientëve me sëmundje kronike. Ambientet e reja u vizituan nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja Shëndetësisë Albana Koçiu.
Rama tha se infrastruktura spitalor ka standarde europaine, ashtu duhet të jetë dhe shërbimi ndaj pacientëve.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Nëse do të na shpikni edhe një vaksinë për virusin e “mospërfilljes” ndaj pacientëve në raste të caktuara do të ishte shumë më mirë. Mjaftojnë pak individë që janë të pavaksinuar me normat e edukatës dhe të etikës në punë, për të shkatërruar imazhin e të gjithëve dhe për të hedhur poshtë punën e përbashkët që po bëjmë dhe që nuk ka koment.
Nga ana tjetër kryeministri tha se qytetarët duhet të zgjedhin spitalin publik duke folur edhe si pacient, madje përmendi dhe një diagnozë të re nga e cila vuan, dhe mund ti nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale, hernie inguinale, e cila ndodh në pjesë e zorrëve, në muskujt e barkut dhe mund të shkaktojë dhimbje.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Unë mund të flas edhe si pacient i spitalit që provova vetë madje edhe mundet që të vij përsëri për një tjetër ndërhyrje. Kam një hernie inguinale. Unë u them të gjithëve atyre që ndodh që të më shkruajnë mesazhe, u them që shkoni në spitalin publik, në spitalin qendror se aty jeni si jashtë shtetit.
Spitali ditor me një sipërfaqe prej 3500 metra katror ofron shërbim të specializuar dhe monitorim 24 orë për pacientët, me një strukturë të re për hemodializën, toksikologjinë, hematologjinë dhe sëmundje të tjera që trajtohen ambulatorisht.
Klan News