Kështu u prit hapja e Urës së Madhe në Kukës, në inaugurimin e të cilës mori pjesë Kryeministri Rama dhe Zv/Kryeministrja Belinda Balluku e mjaft banorë të zonës.

Kryeministri Rama e konsideroi këtë urë si një vepër madhore duke mos lënë pa përmendur edhe kritikët e saj.

Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë: Se tani është shumë e rëndësishme se ura hapet edhe hapet për të gjithë edhe për ata që ça nuk thanë për urën, deri te lajmi nga penxherja që ju këputën këmbët urës ndërkohë që kjo nuk ka këmbë se e ka trupin të shtrirë përgjatë një hapësire drite që është nga më të mëdhatë hapësira drite të një ure në Europë.

Ndërsa Zv/Kryeministrja Belinda Balluku u shpreh se Ura e Madhe e Kukësit, është një investim i rëndësishëm në Rrugën e Kombit.

Belinda Balluku, Zv/Kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës: Rruga e Kombit është një rrugë që kur ne e kemi marrë në dorëzim ka qenë pothuajse as në gjysmën e volumeve të saj përfundimtare dhe sigurisht ka edhe pjesë të tjera që janë dhe ne vazhdojmë me përmirësimin e saj.

Ura e Madhe e Kukësit mbi lumin Drin ka një gjatësi totale prej 310 metra, ndërsa harku metalik ka një bazë prej 270 metrash dhe një lartësi prej 56 metra. 

Kjo urë do të ketë 4 korsi, në dy kahet e lëvizjes me ndarës trafiku të ndërmjetëm.

Klan News