Ramiz Kukaj, shqiptari i cili ka hapur rrjetin e njohur të restoranteve shqiptare “Çka Ka Qëllu”, në Amerikë i ftuar në emisionin ‘Opinion’ në Tv Klan ka treguar historinë e emigracionit që në vitin e lindjes së tij.
I vendosur tashmë në New York, Kukaj tregon se si lindi ideja për të hapur restorantin e tij të parë në Amerikë, i cili më pas u pasua edhe nga dy të tjerë.
Ramiz Kukaj: Rreth viteve 70 kam emigruar. Kam lindur në Itali dhe në 1972 dalim prej Italisë dhe kalojmë në Amerikë në New York. Jetojmë 6 vite në Amerikë dhe pas 6 viteve prindërit vendosin të kthehen në Kosovë. Në Kosovë kam jetuar 13 vite dhe ato kanë qenë vitet e represionit serb, vitet më të këqija. Kemi përjetuar gjithçka derisa më erdhi ftesa të iki për të shërbyer në armatën e Jugosllavisë. Vendosa të largohem prej Kosovës. Pastaj iki në Maqedoni, pastaj në Shqipëri kam jetuar 1 vit e gjysmë. Në Shqipëri kam jetuar në Milot për gjashtë muaj. Për rrugëtimin që kam pasur në Milot e njoha edhe pjesën e veriut, prej aty kalova në Tiranë ku kam jetuar gjashtë muaj. Njoha Shqipërinë e mesme. Të them të drejtën edhe Tirana më ka dhënë përshtypje të mirë.
Blendi Fevziu: Si e nise restorantin dhe me çfarë biznesi merreshe më parë?
Ramiz Kukaj: Para se të hap restorantin shqiptar kam punuar për një kompani shumë të madhe. Isha shumë i suksesshëm dhe sot punoj si këshilltarë tek ata. E kam pasur patjetër që të bëj diçka përpos që të shërbej në një kompani të huaj. E kam pasur obligim ndaj vetes dhe ndaj familjes që të bëj diçka edhe për veten. Dhe kështu lindi ideja për “Çka Ka Qëllu”. E para është hapur në Bronx, e dyta në Manhattan dhe e treta në Connecticut.
Blendi Fevziu: Pse ia vure emrin ‘Çka Ka Qëllu’?
Ramiz Kukaj: Të them të drejtën kjo është një fjalë shumë e madhe tek ne shqiptarët. Koleksionimi i artefakteve për 17 vjet. E deshta restorantin shqiptarë sepse gjithë kohën sa jetova këtu shumicën e restoranteve ose kamarierët edhe menaxherët ishin shqiptarë. Edhe të huajt janë shumë kureshtarë. Pëlqejnë tavën e kosit.
Gjatë fjalës së tij Ramiz Kukaj u shpreh se zhvillimi i turizmit në Shqipëri vitin e fundit ka ndikuar për mirë edhe në restorantin e tij pasi shumë klientë që shkojnë aty i tregojnë eksperiencën e tyre në Shqipëri. Ai u shpreh se nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen të kthehet në Shqipëri./tvklan.al