Elja Zotka: Dje zoti Rama deklaroi se është marrë vendimi zyrtar për të bojkotuar parlamentin. Ju personalisht si pjesë e grupit parlamentar socialist, a e dini se kur do të kthehet grupi parlamentar në parlament?

 Andis Harasani: “Po në radhë të parë unë mendoj që ka një non sens logjikë të marrësh vendim të bojkotosh ose të kesh një marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin për mendimin tim nuk ka kuptim. PS mund të ketë dhe duhet të ketë një marrëdhënie të kushtëzuar me pozitën, duhet të ketë një marrëdhënie të kushtëzuar me qeverinë Berisha-Meta, po të kesh një marrëdhënie të kushtëzuar ose të bojkotosh një institucion konstitucional, një institucion të cilin e miraton kushtetuta e Shqipërisë, më duket thjeshtë no sens llogjik. Pra çdo hap që po merret është një qerthull vendimesh pa sens. Unë vazhdoj të shpreh mendimin tim dhe të shumë shokëve të mi që PS duhet të jetë në parlament, por marrëdhëniet sepse ne nuk mund të bojkotojmë institucion kushtetues, por marrëdhëniet me këtë pozitë me legjitimitet të cunguar absolutisht duhet të jenë të kushtëzuara. Mendoj që nga kjo largim nga parlamenti të vetmit që dëmtohen janë socialistët, është PS pasi me ç’pamë dhe dje në parlament dhe ç’do vazhdojmë të shohim varet se për sa kohë PS do vendosë të kthehet në parlament, qeveria ka mundësinë të marri vendimet siç do vetë, ka mundësi të votojë siç do vetë, ka mundësi të thotë atë çka do dhe zëri i të gjithë atyre socialistëve të cilët kanë votuar për ne të mos përfaqësohen në parlament dhe mendoj që kjo është një dëm që në radhë të parë i bëhet votuesit të majtë, votuesit përtej të majtës dhe të djathtës që votoi për ne zgjedhjet e 28 qershorit dhe është një dëm që i bëhet jo vetëm demokracisë shqiptare por dhe kohezionit brenda për brenda PS-së. Nuk ka vendim se kur do kthehemi në parlament siç e dini ju në mbledhjen e parë dhe të fundit parlamentar që është zhvilluar deri më tani, u morë vendim që do ngrihet një grup pune, nuk kem i asnjë njoftim se kush ishte ky grup pune, kur u ngrit ky grup pune, çfarë vendosi ky grup pune. Megjithatë ne jemi anëtarë të PS-së, jemi anëtarë të grupit parlamentar të PS-së, ne respektojmë vendimin e shumicës, por në asnjë mënyrë nuk mund të lejojmë që të dëmtohen interesat dhe kohezioni brenda për brenda PS”.

Elja Zotka: Zoti Bosch dje ka deklaruar se parlamenti është i vetmi vend ku mund të zhvillohet një debat real. Si e shikoni këtë deklaratë?

Andis Harasani: “Më vjen keq që vazhdohet dhe në vitin 2009, që janë të huajt që vazhdojnë na tregojnë kushtetutën e Shqipërisë. Zoti Bosch thjeshtë ka thënë atë çka thotë kushdo. Parlamenti është institucion kushtetues”.

Elja Zotka: Po kushtet e vendosura nga zoti Rama, të paktën të bëra publik nga zoti Rama dje?

Andis Harasani: “Ka një vendim të grupit parlamentar, vendim të marrë me shumicë. Unë kam rezervat e mia ndaj këtyre kushteve megjithatë do preferoja të mos i bëja publike, por t’i diskutoja në mbledhjen e ardhshme të grupit parlamentar ku shpresoj që zoti Rama do na lej të flasim”.

Elja Zotka: Ndërkohë që ne bëjmë këtë intervistë zoti Rama në selinë e PS-së ka thirru grupin parlamentar, ju jeni pjesë e këtij grupi, pse s’jeni duke marrë pjesë në këtë mbledhje?

Andis Harasani: “Po në radhë të parë ka qenë… po është një mbledhje që po zhvillohet me deputetët e qarkut të Tiranës. Zoti Rama nuk e ka parë të arsyeshme të më thërras, është vendim i zotit Rama, nuk besoj se ka asgjë personale. Uroj të mos jenë shenjat e para të bojkotit të anëtarëve që mendojnë ndryshe në grupin parlamentar ose të mos jenë shenjat e para të përjashtimit pasi është diçka që do e dëmtonte PS-n dhe jo mua personalisht. Megjithatë unë do vazhdoj të bëj detyrën time si deputet, nuk jam deputet i zotit Rama, jam deputet i PS-së, jam votuar nga PS dhe do vazhdoj të bëj detyrën time, të jap mendimin tim dhe të përfaqësoj zërin e atyre që më kanë votuar”./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka