Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, në një lidhje direkte në edicionin e lajmeve në Tv Klan, tha se vendimi i sotëm hapjes zyrtare të negociatave të Shqipërisë për grup-kapitullin e parë për anëtarësimin në BE është konkretizim i përpjekjeve të qeverisë në realizimin e këtij procesi.

“Është dita kur përpjekja e gjithë këtyre viteve e qeverisë shqiptare për ta bërë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian bëri të mundur hapjen e kapitujve të ndërmjetësimit dhe krijimin e një rruge dhe një plani për ta bërë Shqipërinë në katër vitet e ardhshme anëtare të Bashkimit Europian”.

Ai shpjegoi edhe procedurat që do të ndiqen nga qeveria shqiptare, pas këtij vendimi tejet të rëndësishëm.

“Pas konferencës së sotme grupi negociator, agjencitë shtetërore, ministritë do të fillojnë rrugën e qartë dhe të pandërprerë për të plotësuar detyrimet që kanë të bëjnë me ato grupkapituj që janë hapur dhe po punohet për të hapur grup-kapituj të tjerë në mënyrë që ne brenda vitit 2030 të kemi mbyllur gjithçka që ka të bëjë me këtë pjesë të rëndësishme të integrimit të vendit tonë”.

Për realizimin në kohë të detyrimeve, kryediplomati shqiptar theksoi se kjo kërkon angazhim dhe të shoqërisë shqiptare.

“Reforma, reforma dhe standarde. Duhet që ne të vërtetojmë që nuk jemi vetëm një popull evropian, por edhe të punojmë si një shoqëri evropiane. Dhe kjo do të jetë një ushtrim që do të përfshijë të gjithë shoqërinë shqiptare dhe botën e biznesit”.

Sipas tij kjo rrugë që u hap nga Bashkimi Evropian duhet mbyllur sa më shpejt.

Tv Klan