Nisur edhe nga eksperienca personale si ambasador në OSBE gjatë periudhës që Shqipëria kishte Presidencën e radhës së kësaj organizate, ministri Igli Hasani është i mendimit se duhen forma të reja bashkëpunimi mes vendeve anëtare që konfliktet të mbahen larg dhe paqja dhe stabiliteti të mbizotërojë.
Kjo ishte një nga çështjet e shtruara për diskutim me kryetarin e radhës së Kryesisë së OSBE-së, Zëvendëskryeministrin e Maltës, Ian Borg.
“Diskutuam për nevojën për të përmirësuar koordinimin mes shteteve pjesmarrëse, për të forcuar mekanizmat e qeverisjes dhe për të rritur efektivitetin e politikave të OSBE-së në përballimin e këtyre sfidave. Theksuam rëndësinë e arritjes së konsensusit në çështjet kyçe, për funksionimin e duhur dhe efektiv të organizatës. Këto aspekte do të ndihmojnë në sigurimin e një baze solide për misionet e ardhshme të OSBE-së.”
Ndërsa Borg që drejton dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maltës u ndal në deklaratën për shtyp tek mbështetja që vendi i tij është i gatshëm të japë për reformat që Shqipërisë i nevojitet për t’u anëtarësuar në BE.
“Mbetemi të gatshëm për të mbështetur Shqipërinë për të çuar më tej rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian, por edhe në raportet me OSBE-ODIHR. Shqipërisë nuk do i mungojë mbështetja në forcimin e ligjit dhe goditjen ndaj korrupsionit.”
Ministri Hasani i ka kërkuar homologut të tij maltez ekspertizë për procesin e anëtarësimit. Malta është shteti më i vogël në Europë dhe u bë pjesë e unionit 20 vite më parë.
Tv Klan