Kryeministri Hashim Thaçi, ka kërkuar sot nga shërbimi policor i Kosovës, që t’i shtojë masat e sigurisë ndaj liderëve kryesor të vendit. Këtë kërkesë zoti Thaçi ka shpalosur gjatë një takimi të thirrur nga Presidenti Sejdiu, e ku ishin të pranishëm Ministri i Brendshëm Zenun Pajaziti dhe Zv/komisari i SHPK-së Sheremet Ahmeti. Pas takimit presidenti çmojë punën e SHPK-së, por tha se lypset një angazhim shtesë në momentet që po kalon vendi.

Fatmir Sejdiu: “Ne çmumë lart angazhimet që kanë bërë edhe Ministria e Rendit në këtë periudhë dhe shërbimi policor i Kosovës, gatishmërinë e tyre që të jenë në shërbim të gjithë qytetarëve të Kosovës, përsosjen e tyre të mëtejshme profesionale dhe ka vlerësime të mira, por natyrisht po ashtu vlerësumë në të njëjtën kohë se ka vend dhe hapësirë për punë edhe më efikase karshi sfidave që kanë para vetes në jetën e përditshme që sjell jeta”.

Kryeministri Thaçi nga ana e tij tha se institucionet e vendit janë të përkushtuara që në Kosovë të mbretëroj rendi dhe ligji.

Hashim Thaçi: “Unë e kam besimin e qytetarëve së bashku me presidentin dhe të gjithë mbartësit e institucioneve të ndërtojmë shtet ku funksionon ligji, ku funksionojnë institucionet demokratike dhe ku natyrisht do të ketë ballafaqim me elementet e së keqes”.

Ndërkaq duke folur rreth hetimeve që po zhvillohen në lidhje me sulmin e së shtunës dhe shtëpisë së Kryeministrit Thaçi. Zv/Komisari i SHPK-së Sheremet Ahmeti, shprehu besimin e tij që ky rast do të ndriçohet shumë shpejt.

Sheremet Ahmeti: “Hetimet vazhdojnë dhe unë jam në krye të një grupi të veçantë punues e cila është formuar nga ministri, zoti Pajaziti dhe ne do të jetojmë të gjitha rrethanat dhe çdo gjë që ka ndodhur dhe asgjë nuk është konkludu, asgjë nuk është përfundu, asgjë nuk është mbyllur dhe ne do të vazhdojmë hetimet”.

Në këtë takim është diskutuar edhe rreth përgjithësive të SHPK-së pas hyrjes në fuqi të kushtetutës së re./tvklan.al

Gazetar: Leonard Kërquki