Kosova nuk do t’i detyrojë serbët e veriut që të integrohen, por do të synojë t’i nxisë ata që të bëhen pjesë e shtetit përmes stimujve dhe investimeve.
Kështu deklaroi kryeministri Hashim Thaçi, në përfundim të takimit me përfaqësuesin e lartë të EULEX, Peter Faith.
Hashim Thaçi: “Ne kemi ndërtuar tash një strategji, që është e përmbledhur në katër pika do të thotë: në atë të sundimit të ligjit, me formimin e komunës së re, në organizimin e zgjedhjeve, të lihen në tri komuna, por dhe në zhvillimin në aspekte socio-ekonomike.”
Një tjetër problem për Kosovën i vënë në pah edhe nga komuniteti ndërkombëtar është korrupsioni.
Për kryeministrin Thaçi kjo është një sëmundje e trashëgueshme, por Prishtina zyrtare po bashkëpunon fort me Bashkimin Evropian për të zgjidhur këtë problem.
Hashim Thaçi: “Do të jemi të pakompromis dhe zero tolerancë ndaj korrupsionit”.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së në Kosovë, Peter Faith, i ka bërë thirrje Thaçit të heqë nga pozitat e larta të qeverisë të gjithë zyrtarët e korruptuar.
Peter Faith: “Këtu në Kosovë ka një keqkuptim. Mendohet se mund t’i afrohesh Bashkimit Evropian pa luftuar dhe çrrënjosur korrupsionin dhe krimin e organizuar. Prishtina duhet të ndërmarrë hapa serioze në heqje nga puna dhe hetimin e atyre figurave të korruptuara që sot janë pjesë e pushtetit.”
Për sa i përket ndërhyrjeve të Serbisë në Kosovë, Thaçi e ka këshilluar Beogradin të heq dorë përfundimisht nga ajo dhe të fokusohet në integrimin evropian, që në vetvete është qëllimi i të gjitha vendeve të rajonit.
Hashim Thaçi: “Askush nuk duhet të pret dashuri të madhe mes Kosovës dhe Serbisë, por fqinjësi të mirë mund të ketë. Ata nuk i kanë dy. Ata kanë një zgjidhje, do të thotë perspektivën evropiane. Kosova nuk mund ta zgjidhë. Është punë e kryer.”
Kryeministri kosovar planifikon të marrë pjesë në një konferencë rajonale me liderët politikë të Ballkanit, që do të mbahet në Slloveni.
Ai ka pranuar se do t’i jepte dorën presidentit serb, Boris Tadiç, por Serbia zakonisht bojkoton konferenca të tilla, ku merr pjesë edhe Kosova.
Është ende e paqartë nëse Tadiç do të marrë pjesë në këtë konferencë, por analistë të shumtë thonë se, nëse ai shtrëngon dorën e Thaçit, për të do të ishte një vetëvrasje politike./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle