Në një kohë kur prokuroria po heton për disa parregullsi në zgjedhje, juristët theksojnë faktin, se hapja e kutive të votimit nuk mund të bëhet nga parlamenti, pasi kjo nuk është në juridiksionin e legjislativit.
Argumentimi është i ish-kryetarit të KQZ-s Kristaq Kume. Në një intervistë për televizionin Klan duke komentuar dy nismat ligjore të depozituara në Kuvend nga socialistët që synojnë transparencë të pakushtëzuar, z.Kume sqaron se Komisioni Hetimor Parlamentar nuk mund ta shtijë objektin e tij ndaj vendimeve të gjyqësorit.
Kristaq Kume: “Parlamenti qoftë edhe nëpërmjet Komisionit Hetimor që mund të ngrejë ka të drejtë që të hetojë gjithçka që ai e ka prodhuar vetë, por nuk ka sesi të ketë të drejtë të hetojë mbi pushtete të tjera, siç është pushteti gjyqësor. Numërimi i fletëve të votimit, rezultati i një procesi zgjedhor të caktuar, në njësi të caktuar i certifikuar nga një komisioni caktuar, i trajtuar në të gjitha hallkat që parashikon ligji zgjedhor, pra përfunduar dhe me një vendim të gjykatës nuk mund të jetë atribut i hetimit të Komisionit Hetimor Parlamentar.”
Për z.Kume dy janë rrugët që mund të mundësojnë transparencën e plotë të procesit elektoral pas pretendimeve të ngritura nga selia rozë për manipulime në zgjedhjet e 28 Qershorit.
Kristaq Kume: “Drejtoju atyre që kanë të drejtën që ta bëjnë këtë gjë, siç është prokuroria. Ne sot kemi dy procese të nisura, rasti i Ruzhdies që po hetohet, ose rasti qendror në rrethin e Shkodrës që ka kërkuar Partia Demokristaine, pra ne e kemi rrugën, ekziston rruga ligjore në të cilën mund të ecet dhe që si produkt të saja të ketë transparencë të asaj çka ka ndodhur. S’ka pse të kërkojmë një rrugë të sforcuar, por në qoftë se do këmbëngulet do kërkoj patjetër interpretim nga Gjykata Kushtetuese, ashtu sikurse edhe ndërkombëtarët ofruan atë çka mund të sjelli produkt në funksion të kësaj zgjidhje Komisioni i Venecias”.
Nismat e Partisë Socialiste do ti nënshtrohen një debate parlamentar pas vendimit të marrë në mbledhjen e konferencës së kryetarëve për t’i kaluar ato në seancën plenarë të 8 marsit./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro