Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu paraqitet për herë të dytë në Prokurorin e Përgjithshme i shoqëruar dhe nga dy avokatët e tij mbrojtës. Seanca e dytë e marrjes në pyetje të Mediut ka nisur rreth orës 12 të mesditës dhe ka zgjatur për rreth 2 orë.

Konfirmohet zyrtarisht, se dy prej prokuroreve të çështjes kanë zhvilluar një seancë të dytë pyetjesh duke konfirmuar kështu në një farë mënyre deklarimet e dhëna nga Fatmir Mediu, në lidhje me pozicionin e tij si zyrtari më i lartë ë ministrisë së mbrojtjes.

Gjithsesi Mediu ka pretenduar se ai nuk ka shpërdoruar detyrën në asnjë rast.

Adrian Visha: “Pretendimi i zotit Mediu dhe i mbrojtjes është që nuk ka absolutisht shkelje në aktivitetin e tij si ministër lidhur me këtë ngjarje dhe me ngjarje të tjera.” 

Një ditë më parë Mediu u thirr në prokurori dhe në cilësinë e personit ndaj të cilit kryhen hetimet dha deklarime për 7 orë me radhë. Ai ka dëshmuar përpara dy prokuroreve të çështjes veprimet e kryera nga ana tij, në lidhje me kompanitë e kontraktuara për demontimin e municioneve në Gërdec të Vorës.

Mediu ka lënë ambientet e prokurorisë rreth orës 14 e 30 për t’u paraqitur serish në ditët në vijim për tu pyetur nga grupi i prokurorëve të çështjes./tvklan.al

Gazetare: Anduena Lalbani