Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është paraqitur në SPAK mëngjesin e kësaj të hëne. Siç raporton Klan News, atij i është komunikuar akuza për “shpërdorim detyre” për çështjen e sterilizimit duke e marrë kështu të pandehur.
“Të vërtetën time do ta ballafaqoj në gjykatë. Do vërtetohet sa kanë përfituar shqiptarët nga sterilizimi. Prokuroria nuk mori mundimin për 50 muaj të kuptonte pse qendra e sterilizimit nuk u vendos në punë”, tha ai për gazetarët pasi doli nga SPAK.
Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet për dosjen e koncesionit të sterilizimit dhe ka vënë nën akuzë 9 persona. Mes tyre është edhe Beqaj ndaj të cilit është caktuar më herët masa e detyrimit për t’u paraqitur.
Nga hetimet ka rezultuar se ish-ministri nuk ka evituar konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, fituesin e koncesionit me vlerë 100 milionë Euro dhe nuk ka kërkuar studim të detajuar për nevojat e sterilizimit në mënyrë që të zgjidhte një variant më pak të kushtueshëm.
Në këto kushte SPAK ka vënë në akuzë dhe Ilir Rrapajn në cilësinë e aksionerit të kompanisë dhe ish-zëvendësministrin Klodian Rrjepaj, të cilët aktualisht ndodhen në burg.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, ata kanë konsumuar veprat penale të falsifikimit të dokumenteve, mashtrimit dhe shpërdorimit të detyrës. Ndërkohë sa i takon 6 ish-zyrtarëve dhe anëtarëve të Komisionit të Ofertave, SPAK ia ka komunikuar akuzat të enjten e kaluar.
2 prej tyre janë në masën e sigurisë arrest shtëpie, ndërsa 4 të tjerë atë të “detyrimit për t’u paraqitur”./tvklan.al